Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë kundër të pandehurit I.P. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Në njoftim thuhet se është ngritur aktakuzë me propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj të pandehurit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 03 mars në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, duke e grisur librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin.
Me këtë rast, thuhet se ka shkaktuar mllef të madh te komuniteti islam dhe duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me ideologji të ndryshme fetare.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, meqenëse aftësia e tij, në kohën e kryerjes së veprës penale, për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet e veta ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale”, thuhet në njoftim.