Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që vrau një shtetas irakian në Vërmicë

policia shiriti vrasje arrestim bastisje - Driton Pacarada

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 15 tetor e vitit 2024, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje pa leje e armëve”.

Sipas aktakuzës, më 17 dhe 18 qershor të vitit 2022, në një zonë malore pranë fshatit Vërmicë të Prizrenit, i pandehuri M.A. dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje me një grup tjetër lidhur me kontrabandimin e migrantëve sirianë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin irakian J.H.

Nga hetimet e kryera, rezulton se M.A. ka qëlluar me pistoletë të kalibrit 7.65x17 mm drejt viktimës, duke i shkaktuar vdekjen si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, siç vërtetohet nga raporti i autopsisë i përpiluar nga mjeku ligjor Naim Haliti. Gjatë të shtënave, është rrezikuar edhe jeta e disa migrantëve të tjerë që ishin bashkë me viktimën.

Prokuroria thekson se motivi i veprës ishte eliminimi i grupit rival dhe përfitimi i dobisë pasurore nga kontrabanda me migrantë. Gjatë hetimeve, në telefonin e të pandehurit janë gjetur fotografi dhe video të vrasjes, ndërsa nga komunikimet e transkriptuara në “WhatsApp”, ai e ka pranuar aktin në biseda me persona të tretë.

Gjithashtu, i pandehuri akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armës së përdorur në vrasje, pasi pistoleta ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi për veprat penale që i vihen në barrë.