Kronikë

Ndalen për t’u ndihmuar të aksidentuarve, por më pas i rrahin – arrestohen dy persona në Istog

arrestim

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Banjë të Istogut, ku dy persona të përfshirë në një vetaksident janë sulmuar fizikisht nga kalimtarë që fillimisht pretendonin se po ofronin ndihmë.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur një veturë me targa të huaja është ndalur pranë vendit të aksidentit dhe dy persona nga ajo veturë kanë ofruar ndihmë për të aksidentuarit. Megjithatë, situata ka eskaluar shpejt dhe ndihma është shndërruar në dhunë fizike.

Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime në hundë, ndërsa tjetri është goditur me një mjet të mprehtë, duke pësuar plagë që kanë kërkuar tretman mjekësor.

Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, por falë një pune intensive hetimore nga policia në Istog, ata janë identifikuar dhe arrestuar rreth orës 16:00 të së njëjtës ditë.

Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.