Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndrejaj: IVF-ja, e arritura më e madhe e shëndetësisë në Kosovën e pasluftës

Shefi i repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zef Ndrejaj, e ka cilësuar futjen e shërbimit të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF) në sektorin publik si një nga arritjet më të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë pas luftës.

Sipas tij, IVF-ja përfaqëson një hap të madh përpara, duke qenë një ndër shërbimet më të avancuara dhe më të nevojshme për pacientët që përballen me infertilitet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“IVF-i si shërbim i ri në Gjinekologji, në institucione publike, mund të them se është ndoshta e arritura më e madhe e shëndetësisë së Kosovës pas lufte. S’kemi shërbim tjetër më të avancuar dhe më të nevojshëm se IVF-ja”, u shpreh Ndrejaj në “60 Minuta” të KTV-së të premten.

Ai bëri të ditur se deri më tani mbi 2 mijë paciente janë paraqitur për trajtim, por theksoi se jo të gjitha i nënshtrohen menjëherë procedurës së IVF-it. Fillimisht, shumica trajtohen me metoda më të thjeshta, ndërsa IVF aplikohet vetëm në rastet kur metodat tjera nuk japin rezultat.

Ndrejaj sqaroi se procedurat e IVF-it nuk janë të shpejta dhe kërkojnë kohë, pasi shpesh një paciente duhet të kalojë disa cikle trajtimi që zgjasin me muaj.

“Procedurat zgjasin disa javë dhe nuk mund të pritet sukses i menjëhershëm. Shpesh nevojiten disa tentativa, pasi gjithçka varet nga cikli natyror i pacientes”, theksoi ai.

Ndërkohë, më 12 mars, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia bëri të ditur se për herë të parë në sistemin publik në QKUK është konfirmuar një shtatzëni e arritur përmes IVF-it.

Ndrejaj bëri të ditur se pacientja që pati sukses është e lindur në vitin 1995 dhe ka arritur shtatzëni që në tentimin e parë me procedurat e IVF-it pas pesë vjetësh martesë.

Shefi i Gjinekologjisë u shpreh optimist se shumë shpejt pritet të konfirmohen edhe rastet e tjera.

VIDEO: Biseda e plotë me dr. Zef Ndrejaj

Në institucionet private, shërbimi i IVF-it kushton nga 3 deri në 4 mijë euro, ndërkaq në QKUK ofrohet falas për dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për një procedurë është 670 euro.

KOHA raportoi javë më parë se shërbimi i fertilizimit të asistuar mjekësor në QKUK përballet me mungesë të 11 barnave të domosdoshme. Për pasojë, çiftet që duan ta nisin menjëherë trajtimin, i blejnë vetë ato. Pas dështimit të blerjes së barnave nga QKUK-ja, udhëheqja e procedurave të prokurimit pati kaluar në Ministri të Shëndetësisë, e cila ka hapur tenderin, por për katër lloje medikamentesh nuk ka pasur asnjë ofertues.