Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka konfiskuar një revole me gaz pas informacioneve për gjuajtje me armë në festën e rizgjedhjes së kryetarit të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
KOHA publikoi një video dje ku Ballazhi shihej nën shoqërimin e disa personave duke festuar fitoren në zgjedhjet e 12 tetorit. Aty një person dëgjohet teksa gjuan me armë.
VIDEO:
Sipas njoftimit të Policisë, pas informatave për armëmbajtje pa leje, në fshatin Seçishtë është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit ku është gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Lidhur me rastin, KOHA ka kontaktuar edhe me kryetarin Ballazhin. Ai ka thënë se s’ka qenë organizator i festës, por vetëm i ftuar.
Ballazhi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, fitoi mandatin e dytë në krye të Hanit të Elezit. Dy herë e mposhti kandidatin e pavarur Refki Suma.