Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Amnisti kopjuesve

Ministria e Arsimit

Ilustrim

Rreth 19 mijë nxënës që përfunduan shkollimin parauniversitar i janë nënshtruar Testit të maturës dhe vetëm 45 prej tyre nuk e kanë marrë rezultatin, shkaku i përfshirjes në kopjim. Krahas tyre, në ditën e testit janë përjashtuar 10 monitorues. Por, ndaj tyre nuk janë vënë gjoba. Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj ka thënë se kjo jep mesazh pandëshkueshmërie.

Gjithsej 45 nxënës nga rreth 19 mijë sa i janë nënshtruar Testit të maturës, janë penalizuar, shkaku i përfshirjes në kopjim dy javë më parë.

Nga ta, 11 janë identifikuar pasi testi është përfunduar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“34 janë përjashtuar ditën e testit nga administruesit, kurse 11 janë përjashtuar pas verifikimit të bisedave në grupe të viberit. Ata edhe pse i kanë pasur rezultatet e testit nuk u janë publiku”, ka bërë të ditur Fatmir Elezaj, udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit.

Në klasat ku janë identifikuar raste të kopjimit, sipas Elezajt, 10 monitorues janë përjashtuar nga procesi i administrimit.

Pavarësisht këtyre rasteve, deri më tani nuk është shqiptuar asnjë gjobë, ndonëse në Ligjin për Maturën Shtetërore parashihen gjoba për persona fizikë nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, ndërsa për persona juridikë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.

“Në klasat ku i kemi identifikuar nxënësit që kanë kopjuar më vonë, masa e parë që e kemi marrë me i përjashtu prej angazhimeve tjera në administrim dhe për momentin nuk kemi informata nëse këtë e kanë bërë me qëllim apo nuk kanë mundur ta menaxhojnë klasën. Masat tjera i mbetet inspektoratit nëse gjejmë argumente që kanë bërë shkelje më të rënda dhe do të merren masa të tjera”, ka thënë Elezaj.

E njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se fakti që sanksionet nuk zbatohen përbën problem. Sipas tij, kjo çon mesazhin e pandëshkueshmërisë.

“Duhet të jetë e qartë dhe kjo duhet të fillojë prej Ministrisë, të vazhdojë nëpër administratorë në nivel komunal edhe më tutje në nivel institucional edhe duhet të zbatohet pa pardon. Të dhënat e sanksioneve të zbatuara duhet të publikohen në mënyrë që njerëzit ta dinë që nëse e thyen rregullin ke sanksione dhe duhet ti vuash dënimet”, ka deklaruar njohësi i çështjeve të arsimit.

Rexhaj ka shtuar nevojën që Ministria e Arsimit ta profesionalizojë procesin e administrimit të testeve, duke krijuar një trupë administratorësh.

“Me e bë një listë prej 200 administratorëve të vet, qoftë për maturë apo arritshmëri, të cilët i përdor dhe pastaj kur i sanksionon, ata e humbin statusin e administratorit të testit. Kur i ka 200 mundet me i trajnu, mundet me i mbikëqyrë, mundet me i zhvillu etj. E ministria e ka fushëveprimin e sigurt dhe të qartë. Kjo mënyra gjithëpërfshirëse e cakton komuna apo dikush tjetër, mendoj që kjo pjesërisht ndikon në mirësjelljen e administratorëve”, ka thënë ai.

Dy javë më parë kur u organizua Testi i Maturës, përmbajtja e testit u shpërnda në rrjetet sociale. Krahas pyetjeve, edhe përgjigjet kanë qarkulluar në grupe të komunikimit online. Ngjashëm ka ndodhur edhe me Testin e Arritshmërisë, javën e shkuar.