Kronikë

EUROPOL-i klasifikon shqiptarët të parët në Evropë për trafikim të kokainës

Foto: Reuters

EUROPOL-i ka renditur Shqipërinë të parën në Evropë për trafikun e kokainës. Nisur nga rastet e përsëritura të kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës në Portin e Durrësit në kontejner që vijnë nga Ekuadori dhe së fundmi edhe në pikë-kalimin kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë (Vërmicë) tregon se Shqipëria është kthyer në “autostradë” të lëvizjes së sasive të mëdha të drogës, ndërkohë që Porti i Durrësit është kthyer në një linjë fikse të tonelatave të kokainës nga Amerika Latine më konkretisht nga Ekuadori.

Duke filluar nga viti 2012, grupet shqipfolëse të trafikut të kokainës kanë zhvilluar ndikim shumë të madh në portet kryesore si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Evropë dhe gjithashtu ishin të angazhuara në shpërndarje në Gjermani, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje edhe Australi.

Ky është përfundimi që ka arritur Europol në një raport prej 27 faqesh të publikuar së fundmi. Sipas Europol, në periudhën 2018 – 2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Evropë në aksione ku është kapur kokainë. Të dytët vijnë shtetas nga Brazili dhe më pas kolumbianët. Shtrirja e aktivitetit tyre ka arritur në përmasa të frikshme ku shqiptarët kanë kaluar nga ndërmjetës në trafikun e drogës, në porositës e shpërndarës dhe janë bërë drejtues të rrjeteve të mëdha kriminale.

"Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika kanë identifikuar shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të sjellë në kontakt zyrtar me policinë për kokainë. Vende si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore por në vitet më të fundit një rol të tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra. Italia gjithashtu identifikoi grupet shqiptare si më aktive, që nga viti 2018, midis grupeve të huaja të përfshira në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, dhe vlerësoi se këto grupe bashkëpunojnë me organizatat vendase në këtë drejtim. Në vitin 2018, Italia gjithashtu regjistroi një rritje të kokainës kap sasi në kufijtë tokësorë, veçanërisht në verilindje. Autoritetet italiane i atribuuan këto rritje trafikimit të ri dinamika që i atribuohet grupeve ballkanike, siç janë shqiptarët, Edhe në Gjermani, aktivitetet e kriminalitetit nga grupe shqipfolës duket se janë të fokusuara në trafikun e drogës, dhe konkretisht kokaina", thuhet në raport.

Në raportin e EUROPOL thuhet se Belgjika dhe Holanda janë “portat” e kokainës në Evropë.

Raporti citon burime të autoriteteve belge dhe holandeze të cilat vënë në dukje se grupet shqiptare kanë zgjeruar rolin e tyre në sigurimin e kokainës dhe lidhjen e kontakteve në Amerikën e Jugut. Trafiku i kokainës në Evropë është shtuar dhe po ashtu grupet kriminale që e drejtojnë atë dhe kjo si pasojë e fragmentimit të karteleve të drogës në Amerikën Latine. Raporti thekson se grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shpërndarës në Amerikën Latine dhe tashmë kanë rrjetet e tyre të shpërndarjes me shumicë në Evropë. Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika e kanë identifikuar vazhdimisht shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të proceduar për veprat penale të trafikut të kokainës, por vitet e fundit një rol i tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra. Që nga viti 2018 Italia ka identifikuar grupet shqiptare si më aktivet ndër grupet e huaja në trafikun e drogave.

Autoritetet gjermane vlerësuan se 29 nga 31 grupet e dominuara nga shqiptarët të zbuluar në vitin 2019, merren me trafik droge. Ky është numri i dytë më i lartë pas gjermanëve. Shtetasit me kombësi shqiptare janë gjithashtu të dytët, pas gjermanëve, për veprat penale të lidhura me kokainën. Greqia raportoi se, që nga viti 2017, trafikantët shqiptarë po zgjeroheshin gjithnjë e më shumë në tregtinë e paligjshme të kokainës dhe po punonin me trafikantë në Amerikën Latine për të importuar sasi të konsiderueshme në territorin grek, me qëllim shpërndarjen e saj më tej. Ndër grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogën, shtetasit shqiptare janë të dytët pas grekëve në Greqi. Në vitet e fundit, fuqia dhe ndikimi i mafisë shqiptare ka shkuar deri në Amerikën e Jugut, në Ekuador, ku ka lënë një gjurmë gjaku rreth qytetit-port të Guayaquil. Midis vendeve prodhuese të kokainës, Perusë dhe Kolumbisë, Ekuadori shërben si një tubacion i madh droge për në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, e ndryshe nga vendet fqinje, Ekuadori nuk ka mafia të drogës në vendlindje. Aty ka banda, por u mungon sofistikimi i nevojshëm për të operuar rrjetet e trafikimit shumëkombësh. Bandat, megjithatë, janë treguar të dobishme për trafikantët ndërkombëtarë, mes tyre dhe shqiptarët, që kërkojnë një pjesë të tortës. Prej të paktën 5 vitesh, mes Shqipërisë dhe Ekuadorit ekziston një linjë e konsoliduar e trafikut të drogës. Kapja e sasisë rekord prej 613 kilogramë kokaine në Durrës pak kohë më parë vetëm sa nxori në pah fuqinë e grupeve kriminale që qëndrojnë pas ngarkesave të tilla me vlerë dhjetëra milionë euro. Nga eksportues të kanabisit, tashmë grupet kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me grosistët e Amerikës Latine, duke u kthyer në një furnizues për vende të Bashkimit Europian. Vëmendje e vogël i kushtohet Ekuadorit, ndonëse shkalla e vrasjeve është e lartë atje. Ekuadori është një nga autostradat e kokainës në botë. Kështu i pëlqen tregtisë ndërkombëtare të drogës, një profil i ulët, mundësi kjo që po shfrytëzohet më së miri nga grupet shqiptare. Guayaquil është qyteti më i madh në Ekuador me një popullsi prej më shumë se 3 milionë banorë. Shqiptarët e parë në Amerikën e Jugut datojnë që në vitin 2006. Të dhënat flasin se shumica prej tyre shkelnin si emigrantë që kërkonin të shkonin drejt Shteteve të Bashkuara, por me kalimin e viteve situata ndryshoi. Më shumë se 500 shqiptarë të regjistruar zyrtarisht jetojnë prej 10 vitesh në Ekuador dhe i vetmi ndryshim me 15 vite më parë është se tashmë nuk kërkojnë të shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara, por të punojnë në Ekuador. Puna kryesore është trafiku i kokainës. Edhe pse në tregun e konsumatorëve Shqipëria zë një vend modest, kur bëhet fjalë për drogat e forta emri i saj arrin deri në Amerikën Jugut. Nëse pak kohë më parë, specialiteti me të cilin krenoheshin në të gjithë botën shqiptaret ishte hashashi, në vitet e fundit është kokaina. Një rrjet i tërë grupesh kriminale kanë arritur të vendosin hallkën e munguar në zinxhirin e trafikut ndërkombëtar të drogës, lidhjen me grupet vendase deri te kartelet e Kolumbisë e Perusë me të njëjtin qëllim: Furnizimin e Kontinentit të Vjetër me pluhurin e bardhë. Banane, mish, goma automjetesh, nëndetëse, kontejnerë e me dhjetëra forma të tjera për të trafikuar kokainë janë zbuluar në Amerikën e Jugut. Në Shqipëri, Porti i Durrësit është pika fundore, por njëkohësisht edhe pikënisja. Pika fundore e mbërritjes nga Amerika Jugore dhe pikënisja për në destinacione të tjera evropiane. Vetëm ndalimi i këtyre ngarkesave, nuk do të shkatërrojë këto grupe kriminale, duke vënë theksin te nevoja e gjurmimit deri në destinacionin e fundit, për të gjetur laboratorët ku lënda narkotike përpunohet për t'u futur sërish në tregun Europian. Po ashtu duhet ndjekur dhe paraja e pistë që lëviz në vend.

"Lidhja me Ekuadorin, ardhja e përsëritur e drogës në Durrës, tregojnë për një autostradë të lëvizjes masive të drogës me përmasa të mëdha. Kjo drogë që vjen në port ka një destinacion të caktuar, do të shkojë në një laborator për t'u përpunuar dhe duhet parë se ku janë vendet që do të shkojë droga, ku përpunohet në Shqipëri për të dalë më pas sërish në tregje në vendet e BE. Është një fenomen shqetësues. Nuk ka hetime të kryera në këtë drejtim, se ku do të përpunohet, kush janë format e komunikimit, cilët janë grupet, si do të dalë nga territori shqiptarë, format e komunikimit, në këtë mënyrë ndalohet ky fenomen. Në Ekuador apo vende të tjera, shqiptarët kanë dhe lidhjet e tyre, kanë asetet e tyre. Duhet parë si funksionon ky grup, mënyrat e komunikimit, në këtë mënyrë zbulohen fijet për të mbërritur te porositësit. Shqipëria është edhe vendi i pastrimit të parave sepse paratë futen në mënyrë ilegale. Ky trafik është shumë i organizuar. Duhet ndjekur edhe paraja që hyn në Shqipëri, të gjurmohen pasuritë, ku investojnë. Duhet një hetim. Shqipëria ka një histori të lindjes së trafikut me vendet e Amerikës Latine që prej 20 vitesh. Prezenca e shqiptarëve është më prezente në Angli dhe Spanjë. Shqiptarët aktualisht dominojnë në këto vende dhe kanë kaluar nga drogërat e lehta te lëvizjet elitë, janë bërë drejtues të grupeve kriminale", u shpreh eksperti i kriminalistikës në Shqipëri, Fatjon Softa.

Reporteri i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në të njëjtën kohë dhe eurodeputet, David Lega thotë se disa grupe nga vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë janë të përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të kokainës.

Përmes një postimi në Twitter ai shkruan se këto grupe operojnë kryesisht në vende si Anglia, Gjermania, Italia, Austria, Hungaria, Greqia Zvicra dhe Belgjika. Ai thotë se grupet e identifikuara nga Shqipëria kryesisht kanë një rol mjaft aktiv. Eurodeputeti i bën thirrje Shqipërisë që të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar. “Disa burime vërtetojnë rolin e zgjeruar e grupeve të Ballkanit në tregtinë ndërkombëtare të kokainës dhe autoriteteve nga Anglia, Gjermania, Itali, Austri Hungari, Greqi, Zvicër dhe Belgjikë dhe grupet e identifikuara shqiptare qenë veçanërisht aktive. Shqipëria duhet të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar” – shkruan Lega.