Kronikë

Edukatorja e kopshtit sulmohet me mjet të fortë nga fëmija në Pejë

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Një fëmijë në Pejë e ka goditur edukatoren e tij me shufër metalike në kopsht, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e goditjes me mjet të fortë, edukatorja është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit të Pejës.

Policia ka konfirmuar për KOHËN se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, si dhe prokurori i shtetit, për të hetuar rrethanat e incidentit.

“Sot në orën 10:40, Policia është njoftuar se në një kopsht, një nxënës me një shufër metalike e ka goditur edukatoren me mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndime. E njëjta është dërguar në emergjencën në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe Prokurori”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në këtë rajon, Fadil Gashi.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë është njoftuar se gjendja e edukatores është stabile.

"Sot, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është pranuar një paciente e lënduar si pasojë e goditjes me mjete të forta. Pas ekzaminimit mjekësor dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme shëndetësore, gjendja e pacientes është vlerësuar stabile dhe e njëjta është liruar për trajtim të mëtutjeshëm sipas rekomandimeve mjekësore", thuhet në njoftim.