Dy shtetas të Shqipërisë janë arrestuar të enjten në Vërmicë nën dyshimin se kanë kryer pagesa me para të falsifikuara.
Në njoftimin e lëshuar nga Policia thuhet se të dyshuarit fillimisht patën kryer pagesë prej 50 euro në një pikë karburanti, prej të cilave 40 euro kanë qenë para të falsifikuara.
“Lidhur me rastin informacionet e shpejta dhe efikase janë ofruar nga zyrtarë të Njësisë për Mbështetje të Trafikut Rrugor, informacione të cilat kanë ndihmuar në koordinimin e njësive relevante policore, ku edhe si rezultat të dyshuarit janë ndaluar dhe arrestuar në Pikën Kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë–Prizren”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarve bëhet e ditur se janë hasur edhe 780 euro tjera, të gjitha kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara.
Të dyshuarit janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit njëri nga të dyshuarit, i cili ka kryer veprën “Falsifikim i parasë” është dërguar në mbajtje prej 48-orësh, ndërsa i dyshuari tjetër me urdhër verbal nga prokurori është liruar ne procedurë te rregullt.