Kronikë

Aktakuzë ndaj tre ish-zyrtarëve policorë, dyshohen për keqtrajtim të një personi në Klinë

Arrestim - policia

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre ish-zyrtarëve policorë, N.G.,  Sh.S. dhe E.E. nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve zyrtare”, “lajmërim apo kallëzim i rremë” dhe “lëndim i lehtë trupor”. 

Sipas aktakuzës, të dyshuarit, në cilësinë e zyrtarëve policorë në Stacionin Policor të Klinës, dyshohen se kanë keqtrajtuar viktimën D.K. në oborrin e shtëpisë së tij. 

Sipas aktakuzës të pandehurit SH.S. dhe E.E. e mbajtën nga krahët të dëmtuarin D.K., ndërsa i pandehuri N.G. e goditi me shuplaka disa herë në kokë e më pas me grushte në abdomen. 
Tre të pandehurit akuzohen se pasi kryen veprën më 28 qershor në Stacionin Policor të Klinës, me dashje dhe bashkëveprim, bënë lajmërim të rrejshëm kinse D.K. ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. 

“Prokurori i shtetit përveç që ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtor për veprat penale që ju vihen në barrë nga aktakuza, ka propozuar dënimin plotësues për të pandehurit “Ndalimin e ushtrimit te funksioneve në vende publike ose shërbime publike””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.