Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë ndaj një zyrtari të Spitalit në Gjakovë, mori pagë për katër vjet pa u paraqitur në punë

aktakuze

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri me inicialet Z.M., në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Administratës dhe Shërbimeve Ndihmëse në spital, dyshohet se nga janari i vitit 2019 deri në fund të vitit 2023 nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për një nëpunës tjetër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në aktakuzë thuhet se Z.M., edhe pse ishte njoftuar paraprakisht për mungesat në punë të nëpunësit me inicialet Xh.Z., nuk kishte nisur procedurë disiplinore ndaj tij, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Sipas Prokurorisë, në këtë mënyrë nëpunësit Xh.Z., i cili mbante pozitën e operatorit në statistikë në spital, iu mundësua të përfitonte pagë bruto totale në vlerë prej 21 mijë e 473 euro e 42 centë, pa u paraqitur në vendin e punës gjatë periudhës 2019-2023.

Me këtë rast buxhetit të shtetit i është shkaktuar dëm material.

“Me këto veprime ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që Z.M. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe t’i shqiptohet dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.