Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Efikasiteti i NATO-s në Kosovë nuk varet nga numrat

Dhuna ndaj forcave të KFOR-it, mediave dhe policisë në maj të vitit 2023 dhe sulmi terrorist në Banjskë nuk ndodhën për shkak se KFOR-i nuk kishte sa duhet ushtarë në atë kohë në atë vend. Ndodhi për shkak se kryesit e këtyre sulmeve kishin vlerësuar se e kanë momentin e përshtatshëm politik për t’i kryer këto sulme. Tash kur NATO po vendos të “optimalizojë“ praninë në Kosovë, që do të thotë zvogëlim, nuk duhet të ketë shqetësim. Sepse efikasiteti i NATO-s në Kosovë nuk varet nga numrat, por nga rrethanat politike. NATO-ja do të duhej të ketë nxjerrë mësime nga sulmet e përmendura, të insistojë që kryesit të dënohen dhe të mos lejohet që gjërat e tilla të përsëriten.

Kur ishte krijuar NATO-ja para më shumë se 76 vjetëve qëllimi nuk ishte që ajo të nisë luftëra, por që me vetë ekzistimin e saj të shërbejë si një forcë parandaluese për t’i mbrojtur vendet e saja anëtare. Kjo u bë duke u bazuar në logjikën e thjeshtë se askush nuk do të jetë aq i çmendur sa që ta sulmojë ndonjë shtet të NATO-s, që është aleanca më e fortë ushtarake që ka parë ndonjëherë njerëzimi. Dhe me sukses NATO-ja gjatë Luftës së Ftohtë, pa shkrepur asnjë plumb, mbrojti vendet e saj anëtare, askush nuk i sulmoi ato, dhe më vonë zona e demokracisë dhe vlerave të lirisë u zgjerua edhe te vendet që për gjysmë shekulli ishin pjesë e bllokut kundërshtar, atij komunist të udhëhequr nga Rusia.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë u nis debati se a ka tash nevojë më të ketë NATO. Në mënyrë naive, në qarqet jo vetëm filozofike, por edhe politike e ekonomike, filluan të vinin argumentet se “tash edhe Rusia po demokratizohet dhe nuk ka më kërcënim“ dhe prandaj, sipas këtyre argumenteve, “nuk ka më nevojë të shpenzojmë aq shumë për NATO-n“.

Luftërat në ish-Jugosllavi, që kryesisht ishin agresione të Serbisë ndaj popujve fqinjë në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, treguan se liria, demokracia dhe paqja në Evropë nuk mund të konsiderohen si të garantuara vetvetiu. Ndodhi edhe gjenocidi në sytë e Evropës. Dhe këtu doli përsëri NATO-ja me një rol të ri, atë të ndërhyrjeve për të ndaluar gjenocidin dhe krizat humanitare. Ndërhyrja e vonuar dhe shumë e kufizuar në Bosnjë e Hercegovinë ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës, e pastaj sulmet ajrore për çlirimin e Kosovës, ishin angazhimi i parë i NATO-s jashtë kufijve të saj. Dhe me këtë u dëshmua se në Evropë ka nevojë për NATO-n, ndonëse me një rol tjetër. Me ndryshimin e rrethanave ndryshoi edhe NATO dhe tash jo vetëm se ekziston, por është zgjeruar duke marrë në gjirin e saj edhe vende si Suedia dhe Finlanda, që as ëndërr nuk e kanë parë se do të hyjnë një ditë në këtë Aleancë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Para saktësisht 27 vjetësh, NATO u dha fund sulmeve ajrore ndaj forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe. Kjo ndërhyrje ndodhi për shumë arsye. Shkurtimisht erdhi pasi ishin shtjerrë të gjitha mundësitë që me mjete politike paqësore t’i jepet fund pastrimit etnik dhunës ndaj shqiptarëve në Kosovë. Erdhi pasi NATO kishte dështuar ta ndalë gjenocidin serb në Bosnjë e Hercegovinë dhe nuk donte të lejojë që e njëjta, e ndoshta në përmasa edhe më të mëdha, të përsëritej në Kosovë. “NATO-ja nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnja”, ishte refreni i cili filloi të përdorej në NATO qysh në vjeshtën e vitit 1997 e derisa nuk nisën sulmet ajrore. Pas 78 ditësh sulmesh ajrore, NATO hyri në Kosovë pasi kishte arritur edhe një marrëveshje ushtarake me Serbinë që forcat serbe të larohen nga Kosova.

Tash kur shënohet 27-vjetori i çlirimit të Kosovës, NATO vazhdon të jetë në Kosovë, por me një prani shumë më të vogël sesa që kishte kur nisi misioni i KFOR-it. Por, NATO vazhdon të njëjtin përkushtim pa marrë parasysh se sa do të jetë numri i ushtarëve.

Javën e shkuar u njoftua nga Komanda e NATO-s për Evropën në SHAPE të Belgjikës se NATO-ja do ta “optimizojë“ praninë në Kosovë. Ky dukej edhe si lajm i mirë, pasi si arsyetim u mor situata e përmirësuar e sigurisë në Kosovë.          

“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet në vitet e fundit. Si rezultat në janar NATO kishte ndërprerë dislokimin e forcës rezervë në Forcën e Kosovës (KFOR) pas më shumë se dy vitesh rotacioni. Pasi situata e sigurisë në Kosovë mbetet në përgjithësi e qëndrueshme, NATO do ta optimizojë praninë në Kosovë dhe gradualisht të përshtatë forcën gjatë vitit të ardhshëm“, njoftoi komanda e NATO-s për Evropën, SHAPE, me seli në Mons të Belgjikës.

“Që nga viti 1999 prania e KFOR-it vazhdimisht është përshtatur, në mënyrë që misioni të mbetet i aftë për zbatimin e qëllimit dhe t’i përgjigjet situatës së ndryshueshme të sigurisë. Pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë edhe sulmeve të pajustifikueshme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, KFOR-i pati riforcimin më të madh për më shumë se një dekadë me dislokimin e afro 1000 trupave shtesë“, thuhet në këtë njoftim.

Sipas të dhënave të fundit, nga muaji prill misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë ka 4657 persona nga 31 shtete, jo të gjitha anëtare të NATO-s. Më së shumti ushtarë ka nga Italia 907, pasuar me 590 nga Amerika, 408 nga Hungaria, 382 nga Turqia dhe 308 nga  Gjermania.
Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë thënë vazhdimisht se NATO në Kosovë do të ketë gjithmonë numër të duhur të ushtarëve që kërkon situata, në mënyrë që të jetë në gjendje ta zbatojë mandatin e sajë.

Dhuna ndaj forcave të KFOR-it, mediave dhe policisë në maj të vitit 2023 dhe sulmi terrorist në Banjskë nuk ndodhën për shkak se KFOR-i nuk kishte sa duhet ushtarë në atë kohë në atë vend. Ndodhi për shkak se kryesit e këtyre sulmeve kishin vlerësuar se e kanë momentin e përshtatshëm politikë për t’i kryer këto sulme. Tash kur NATO po vendos ta “optimalizojë“ praninë në Kosovë, që do të thotë zvogëlim, nuk duhet të ketë shqetësim. Sepse efikasiteti i NATO-s në Kosovë nuk varet nga numrat, por nga rrethanat politike. NATO-ja do të duhej të ketë nxjerrë mësime nga sulmet e përmendura, të insistojë që kryesit të dënohen, dhe të mos lejohet që gjërat e tilla të përsëriten.

Sado i vogël apo i madh të jetë numri i ushtarëve të NATO-s në Kosovë ato do të jenë vërejtje për këdo që synon ta sulmojë Kosovën se do të hyjë në konflikt me NATO-n. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe Serbia. E ndërkohë, Kosova duhet të vazhdojë t’i forcojë institucionet e saj të sigurisë, në bashkëpunim me aleatët, nëse jo formalisht përmes NATO-s, atëherë në mënyrë bilaterale me ato shtete që duan. Ndërsa duhet të punohet edhe në normalizimin e raporteve me Serbinë, sepse ai vetvetiu do të ulte edhe tensionet edhe frikën nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë. E NATO në Kosovë do të duhej të qëndrojë deri sa të vijë koha që Kosova të hyjë në NATO.