Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Kosova si Bullgaria

Çfarë e ardhme e pret Kosovën pas 7 qershorit? Janë disa të ardhme të mundshme. Njëra nga to është ajo e Bullgarisë

Çfarë e ardhme e pret Kosovën pas 7 qershorit? Janë disa të ardhme të mundshme. Njëra nga to është ajo izraelite për të cilën kam shkruar në kolumnen e kaluar. Por një e ardhme tjetër e mundshme për Kosovën është ajo e Bullgarisë. 

Në Bullgari brenda pesë vjetësh u organizuan tetë palë zgjedhje të parakohshme. Arsyeja e këtij zingjiri maratonik të zgjedhjeve ishte pak a shumë sikur në Kosovë – e gjithë skena politike ishte e ndarë në dysh në mes gardës së vjetër politike dhe shpresës së re. Boyko Borisov ishte mishërim i gardës së vjetër politike në Bullgari. Për dymbëdhjetë vjet Boyko Borisov ka sunduar Bullgarinë. Nën regjimin e tij Bullgaria u bë shtet i kapur, ndërsa partia e tij GERB kishte militarizuar pothuaj të gjitha institucionet shtetërore. Në vitin 2021 – pak a shumë të njëjtën kohë sikur në Kosovë – qytetarët bullgarë i dhanë fund regjimit të Borisovit dhe sollën në pushtet “shpresën” e re të Bullgarisë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shpresa e re e Bullgarisë në krye me reformatorin nga Harvardi, të riun Kiril Petkov, premtuan çkapjen e shtetit bullgar nga “garda e vjetër”. Petkov shihte betejën me Borisovin dhe GERB-in si çështje ekzistenciale për shtetin bullgar. “Zgjedhjet e ardhshme do të jenë referendum mbi atë se çfarë Bullgarie duam – vend i sundimit të ligjit dhe prosperitetit apo vendi i mafisë... kemi filluar marshimin e gjatë drejt çkapjes së shtetit nga forcat e errëta”, thoshte i riu Petkov. Sidoqoftë shpresa e re e Bullgarisë që nga fillimi u sabotua në çdo hap nga elementet e shtetit të kapur të instaluar në çdo qelizë të shtetit bullgar nga ana e “gardës së vjetër” të GERB-it. Thënë ndryshe shpesa e re e Bullgarisë e kuptoi shumë shpejt se “çkapja e shtetit” është mision tejet i vështirë. Garda e vjetër shfrytëzonte të gjitha mjetet ligjore dhe quasi-ligjore për të bllokuar ligjet, buxhetin dhe reformat institucionale. Ajo çfarë do të duhej të ishte qeverisje frymëzuese dhe reformuese u shndërrua në paralizë frustruese politike. Si pasojë vendi hyri në një rreth vicioz të zgjedhjeve të njëpasnjëshme të cilat prodhonin të njëjtën status-quo. Në çdo zgjedhje Borisovi dhe partia e tij GERB ruanin votat lojaliste të tyre, por nga ana tjetër e gjithë skena politike refuzonte bashkëpunimin me “gardën e vjetër” të GERB-it. Thënë ndryshe ndaj GERB-it u ngrit një cordon sanitaire. Kësisoj zgjedhje pas zgjedhje vendi e gjente veten në të njëjtin pozicion ku asnjë palë nuk ishte e aftë të formonte institucione stabile. Dhe kështu zgjedhje pas zgjedhje qytetarët humbën interesimin për pjesëmarrje në votime – pjesëmarrja kolapsoi nga 49% në vitin 2021 në nivelin më të ulët historik prej 33% në vitin 2024. Kjo paralizë politike u ndërpre befasishëm muajin e kaluar. Muajin e kaluar Bullgaria mbajti zgjedhjet e teta me radhë. Papritmas zgjedhjet i fitoi bindshëm ish-president i Bullgarisë, Rumen Radev. Radev portretizoi veten si shpëtimtar të Bullgarisë pas pesë vjetësh paralizë. Ish-gjenerali ushtarak dhe kundërshtari i vërtetuar i GERB-it bindi qytetarët bullgarë se ai mund të jetë “shpresa e re”. Motoja kryesore e fushatës së tij ishte kthimi i stabilitetit dhe lufta kundër korrupsionit. Në vetë fjalët e tij “Qëllimi ynë është që t’i japim fund oligarkisë, ta çkapim shtetin dhe të fuqizojmë sundimin e ligjit”. Disa muaj para zgjedhjeve ai mbështeti protestën anti-GERB “Mafia Jashtë” ku u mblodhën 150,000 qytetarë. Thënë ndryshe ai përsëriti zotimin e të riut Kiril Petkovit për çkapjen e shtetit të dhënë para tetë palë zgjedhjesh. Dallimi i vetëm ishte që zotimi tani vinte nga një ish-gjeneral i cili u pozicionua diku në mes ekstremeve të “gardës së vjetër” dhe “shpresës së re”. Ai fitoi sepse u pa nga qytetarët bullgarë si kandidati i vetëm i aftë që ta nxjerrë Bullgarinë nga kriza.

Storia e Bullgarisë është paralajmërim për një të ardhme të mundshme për Kosovën. Sikur në Bullgari në vitin 2021 Kurti i fitoi zgjedhjet me premtimin e “çkapjes së shtetit” nga “garda e vjetër”. Fitorja masive e tij ishte shpresë për një ardhme më të mirë. Dhe sikur në Bullgari që nga ajo kohë narracioni i Kurtit ishte që të gjitha përpjekjet fisnike të tij janë duke u sabotuar nga “garda e vjetër” politike dhe interesat e tyre meskine. Sabotimi i fundit është ai për president. Ky narracion i tij do të testohet më 7 qershor. Më 7 qershor qytetarët e Kosovës mund t’i japin mandat të ri Kurtit për vizionin e tij për Kosovën ose vendi do të hyjë në një rreth vicioz të zgjedhjeve të njëpasnjëshme deri në lodhjen eventuale të qytetarëve nga paraliza politike. Se kush do të jetë pastaj Radev i ri i Kosovës ngelet të shihet.