Futboll

Zeneli mund t’i bashkohet Paqaradës te Kolni

Besfort Zeneli

Besfort Zeneli ka tërhequr vëmendjen e skuadrës së Kolnit që aktualisht bën gara në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, shkruan “Sport.de” të mërkurën.  

Kolni është fare pranë kthimit në Bundesligë në edicionin tjetër, pasi është i dyti në Bundesliga 2 me 58 pikë, tri më shumë se Elversbergu që është i treti. 

Deri në fund të kampanjës ka mbetur edhe një xhiro për t’u luajtur dhe Kolnit që luan në shtëpi me Kaiserslauternin, do t’i kryente punë edhe një barazim.

Te Kolni aktivizohet mbrojtësi i majtë i Kosovës, Leart Paqarada. 

Zeneli 22-vjeçar që luan si mesufshor tek Elfsborgu në Suedi, ka gjashtë paraqitje me U21 të Kosovës, ndërsa në mars të këtij viti debutoi te Suedia. 

Ai ka kontratë me Elfsborgun deri në vitin 2028. 

Zeneli, vëllai i vogël i Arbër Zenelit, ka luajtur në 27 ndeshje në të gjitha garat e edicionit 2024-25, ndërsa ka kontribuuar me një gol e gjashtë asistime.