Selektori i Kosovës, Franco Foda, e ka vlerësuar Ousmane Dembelen si futbollistin më të mirë të vitit 2025.
Dhe ylli francez e fitoi të martën çmimin “The Best”, që e ndanë FIFA për më të mirin e vitit.
Pikët maksimale, pesë, të Fodas i mori Dembele. Lamine Yamal nga Foda u vlerësua me tri pikë, ndërsa Harry Kane i Bayernit me një.
Edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ia dha pikët maksimale sulmuesit të PSG-së, Ousmane Dembele. Kylian Mbappe i Real Madridit i mori tri pikët e Rrahmanit, ndërsa Lamine Yamal një.
FIFA pak pas ceremonisë ka publikuar votimin e bërë.
Dembele ishte më i miri i vitit edhe sipas përzgjedhësit të Shqipërisë, Sylvinho. Braziliani tri pikë ia dha Lamine Yamalit e një Raphinhas.
Kapiteni i kuqezinjve, Berat Gjimshiti, e vlerësoi me pesë pikë Dembelen, me tri Nuno Mendesin e me një Harry Kanen.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka vlerësuar dy yje të PSG-së. Xhaka i ka dhënë pesë pikë për Dembelen, tri për Achraf Hakimin e një për Lamine Yamalin.
Për Maqedoninë e Veriut, ka votuar edhe kapiteni Enis Bardhi. Dembele mori pesë pikë nga Bardhi. Tri vota Bardhi ia dha Yamalit e një Nuno Mendesit.
Më të mirët janë shpallur me votat e përzgjedhësve, kapitenëve të ekipeve përfaqësuese, gazetarëve dhe publikut. Të gjithë këta kanë ofruar nga 25 për qind të vlerësimit.
Çmimet “The Best”, FIFA i ndanë nga viti 2016. Por Topi i Artë mbetet çmimi kryesor individual në futboll. Edhe Topin e Artë e ka fituar Dembele.