Ousmane Dembele është fitues i çmimit “The Best”. Këtë çmim e ndan Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) për lojtarin më të mirë të vitit në futboll. Sulmuesi i Francës, Dembele, fitoi çmimin për sukseset që ka arritur me PSG-në, ku përfshihet edhe triumfi në Ligën e Kampionëve. Pos Championsit, PSG-ja e ka fituar edhe titullin e kampionit dhe Kupën e Francës.

Dembele më herët këtë vit e ka fituar edhe Topin e Artë, që mbetet çmimi kryesor individual në futboll.
Për “The Best”, Dembele fitoi në konkurrencë me Kylian Mbappen e Lamine Yamalin. Ceremonia u mbajt të martën mbrëma në Doha të Katarit. 

Mbappe shkëlqeu te Real Madridi, ndërsa Yamal te Franca. 

Te futbollistet, më e mira u shpall spanjollja Aitana Bonmati. Edhe Bonmati e kishte fituar Topin e Artë.
Ndonëse ishte në konkurrencë për çmimin kryesor, Kylian Mbappe nuk ka zënë vend në ekipin më të mirë të vitit, sipas FIFA-s. 

Në sulm në ekipin më të mirë janë përzgjedhur Dembele e Yamal. Mesfusha përbëhet nga Jude Bellingham, Vitinha, Pedri dhe Cole Palmer. Ndërkohë Achraf Hakimi, William Pacho, Virgil van Dijk dhe Nuno Mendes janë përzgjedhur në mbrojtje. Gianluigi Donnarumma është portieri më i mirë në ekipin e vitit. 

Çmimin “The Best” në mesin e trajnerëve e fitoi spanjolli i PSG-së, Luis Enrique. Ai fitoi në konkurrencë me Hansi Flickun e Barcelonës dhe Arne Slotin e Liverpoolit. 

Te futbollistet, trajnerja më e mirë u shpall Sarina Wiegman, holandezja në krye të Anglisë.

Ceremonia, për dallim nga shorti për Botërorin 2026, nuk ishte e gjatë. FIFA i prezantoi gjashtë fitues ende pa nisur ceremonia. Ndër të tjera pa nisur ceremonia u shpall edhe portieri më i mirë, Gianluigi Donnarumma.

Çmimet “The Best” FIFA ka nisur t’i japë nga viti 2016. Vendosi të shpall më të mirët pasi u nda me revistën “France Football”, me të cilën e organizoi FIFA Topin e Artë nga viti 2010 deri në vitin 2015.
Fituesit e çmimeve “The Best” përcaktohen me votat e shikuesve, trajnerëve të ekipeve përfaqësuese, kapitenëve dhe gazetarëve të sportit.

Dembele, më i miri i vitit 2025 sipas FIFA-s

57 min. më parë / 16 dhj 2025 18:42
Ousmane Dembele

Ousmane Dembele është fitues i çmimit The Best.

Këtë çmim e ndan FIFA për lojtarin më të mirë të vitit në futboll. Dembele fitoi çmimin për sukseset që ka arritur me PSG-në, ku përfshihet edhe triumfi në Ligën e Kampionëve.

Ai më parë e ka fituar edhe Topin e Artë.

Për The Best, Dembele fitoi në konkurrencë me Kylian Mbappen e Lamine Yamalin. Ceremonia u mbajt të martën mbrëma në Doha të Katarit.

Bonmati, futbollistja më e mirë e vitit

58 min. më parë / 16 dhj 2025 18:41
Aitana Bonmati

Pasi e fitoi Topin e Artë, Aitana Bonmati e ka fituar edhe çmimin The Best, që e ndanë FIFA për futbollisten më të mirë të vitit. 

Bonmati ka shkëlqyer gjatë këtij viti dhe fitoi tjetër çmim të rëndësishëm individual.

Ajo luan për Barcelonën.

Dembele e Yamal në ekipin më të mirë të vitit sipas FIFA-s

1 o. më parë / 16 dhj 2025 18:36
Dembele e Yamal në finalen e madhe

Ousmane Dembele e Lamine Yamal janë përzgjedhur në ekipin më të mirë të vitit 2025, sipas FIFA-s.

Kjo dyshe është vendosur në sulm.

Mesfusha përbëhet nga Jude Bellingham, Vitinha, Pedri dhe Cole Palmer.

Achraf Hakimi, William Pacho, Virgil Van Dijk dhe Nuno Mendes janë përzgjedhur në mbrojtje, ndërsa Gianluigi Donnarumma në portë.

Enrique, trajneri më i mirë i vitit

1 o. më parë / 16 dhj 2025 18:32
Luis Enrique

Ashtu si pritej, Luis Enrique është shpallur trajneri më i mirë i vitit 2025.

Enrique e fitoi të martën mbrëma çmimin e FIFA-s, The Best.

Ceremonia e shpalljes së më të mirëve po mbahet në Doha të Katarit. Enrique fitoi në konkurrencë me Hansi Flickun dhe Arne Slotin.

Te futbollistet trajnerja më e mirë u shpall Sarina Wiegman, selektorja e Anglisë.

Tifozët e klubit irakian fitojnë çmimin e FIFA-s

1 o. më parë / 16 dhj 2025 17:55
tifo

Tifozët e Zakoho SC e kanë fituar Çmimin e FIFA-s për Tifozë për vitin 2025.

Mbështetësit e klubit irakian morën vëmendje kur para ndeshjes me Al-Hudood më 13 maj, hodhën mijëra lodra në fushë. Ato u mblodhën para fillimit të ndeshjes dhe u dhuruan për fëmijët që vuanin nga sëmundje të ndryshme.

Ndërkohë Çmimin për “Fair-Play” të FIFA-s për vitin 2025 e fitoi Andreas Harlas-Neuking, mjeku i skuadrës gjermane Jahn Regensburg. Ai shpëtoi jetën e një tifozi gjatë një ndeshje në muajin prill.

Ovalle fiton çmimin për golin më të mirë të vitit te futbollistet

1 o. më parë / 16 dhj 2025 17:44
Lizbeth Ovalle

Lizbeth Ovalle e ka fituar çmimin për golin më të mirë të vitit në futbollin e femrave.

Çmimi i njohur si “Marta”, në emër të ikonës braziliane të futbollit, është ndarë të martën nga FIFA.

26-vjeçarja nga Meksika, Ovalle, shënoi supergol në ndeshjen e skuadrës Tigres ndaj asaj Guadalajara. Ajo ndeshje u luajt më 3 mars.

Montiel e fiton çmimin e FIFA-s për golin më të bukur

2 o. më parë / 16 dhj 2025 17:36
Montiel

Santiago Montiel është fitues i çmimit “FIFA Pushkash 2025” për golin më të bukur të shënuar gjatë këtij viti kalendarik. Ai shënoi supergol me goditje “gërshërë” për skuadrën argjentinase Independiente. 

Golin e vlerësuar si më i miri i vitit, Montiel e realizoi në ndeshjen ndaj skuadrës Independiente Rivadavia.

Supergoli u shënua në ndeshjen kampionale në muajin maj. 

“Nuk kam menduar për golin, vetëm kam goditur topin”, kishte thënë Montiel.

Vjet golin më të mirë e kishte shënuar Alejandro Garnacho, që po ashtu është nga Argjentina.

Donnarumma, portieri më i mirë për vitin 2025 sipas FIFA-s

2 o. më parë / 16 dhj 2025 17:28
Gianluigi Donnarumma

Gianluigi Donnarumma

Photo: Associated Press

FIFA e ka shpallur Gianluigi Donnarumman portierin më të mirë për vitin 2025.

Donnarumma në garë për më të mirin e vitit mposhti portierë si Alisson Becker, Emiliano Martinez, Manuel Neuer, David Raya, Yann Sommer e Wojciech Szczesny.

Italiani Donnarumma ishte figurë kyçe edicionin e kaluar në sukseset që i arriti Paris Saint-Germaini.

Donnarumma edicionin e kaluar me Parisin e fitoi Ligën e Kampionëve, titullin në Ligue 1 të Francës, Kupën dhe Superkupën franceze. 

26-vjeçari Donnarumma tashmë është pjesë e Manchester Cityt.

“Ndihem jashtëzakonisht krenar që jam zgjedhur si më i miri në botë dhe përpara portierëve kaq të mrekullueshëm për të cilët kam respekt dhe admirim të madh. Ishte një vit i jashtëzakonshëm, një vit që do të mbetet gjatë në kujtesën time. Do ta vlerësoj vërtet këtë njohje dhe do të pres tani për të arritur më shumë suksese me klubin tim të ri, Manchester City”, u shpreh portieri shtatlartë, shkruan “BBC”.

Donnarumma me Cityn ka kontratë deri në verën e vitit 2030.