Erblin e Euron Bajraktari nuk do të transferohen te Borussia Monchengladbachu, ndonëse kishin marrëveshje gojore me klubin e Bundesligës gjermane.
Binjakët e talentuar do të vazhdojnë zhvillimin në Zvicër te klubi i njohur, Young Boys. Erblini e Euroni janë 16-vjeçarë, ndërsa luajnë për të rinjtë e Zvicrës. Janë me prejardhje nga Peja dhe vlerësohen shumë të talentuar.
Së fundi interesim të madh për binjakët Bajraktari shfaqi skuadra gjermane Monchengladbach. Ideja ishte që dy lojtarët defansivë të vazhdojnë zhvillimin në Gjermani. Por në fund u vendos që Erblini e Euroni të mbesin në Zvicër. Ata kanë nënshkruar kontratë me Young Boysin për të vazhduar zhvillimin në këtë klub të paktën deri në vitin 2027.
“Vendosëm të vazhdojmë në BSC Young Bous dhe kemi nënshkruar deri në vitin 2027. Arsye për këtë janë koncepti i duhur sportiv i klubit dhe perspektiva e mirë në Young Boys”, ka thënë të enjten për KOHËN, Edison Bajraktari. Ai është vëllai i madh i dy lojtarëve të talentuar dhe i përfaqëson ata.
Drejtori sportiv i Young Boysit, Christoph Spycher, ka luajtur rol vendimtar për të bindur 16-vjeçarët të qëndrojnë në Bernë. Rruga për zhvillimin e tyre dhe shndërrimin në lojtarë profesionalë duket e hapur.
Rrjedhimisht nuk u realizua transferimi në Monchengladbach, ndonëse marrëveshja ishte arritur dhe mungonte vetëm nënshkrimi.




Binjakët nga Kosova në Zvicër janë të regjistruar me mbiemrin “Bajraktar”. Por janë pjesë e familjes Bajraktari, me prejardhje nga Rugova.
Erbilini dhe Euroni, të lindur më 4 shkurt 2009, tek ekipi U16 i Young Boysit ishin transferuar verën e kaluar. Të dy luajnë për Zvicrën U16. Më herët ishin në disa skuadra më të vogla zvicerane. Luajnë në pozita të ndryshme në mbrojtje.
Futbollistë të shumtë shqiptarë vazhdojnë të zhvillohen dhe të promovohen në klubet zvicerane. Shumë prej tyre arrijnë në nivelin profesional e po ashtu në ekipe përfaqësuese. Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri mbesin shembull për të gjithë, kurse Ardon Jashari është futbollisti i radhës që pritet të arrijë në nivelin më të lartë evropian.
Një ditë në nivelin më të lartë të futbollit shpresojnë të paraqiten edhe binjakët Bajraktari.