Të shtunën prej orës 16:00 zhvillohen ndeshjet e xhiros së 35-të, përkatësisht të parafundit, të edicionit 2024/2025 të Superligës së Kosovës në futboll. Derisa gara për titull tashmë ka përfunduar, kjo xhiro vlerësohet shumë e rëndësishme, nëse jo vendimtare, sa i takon garës për mbetje në elitë.
Feronikeli 74 është “përshëndetur” shumë më herët me Superligë, por mbetet të vendoset se cila skuadër tjetër do të largohet nga elita dhe cila do të përfundojë në pozitën e tetë që dërgon në plejaut.
Aktualisht Suhareka është e parafundit, përkatësisht e nënta, me 39 pikë. Kjo pozitë dërgon në Ligën e Parë në fund të edicionit. I teti është Llapi me 41 pikë. Pozita e tetë dërgon në plejaut. Të largohesh nga liga dhe të luash në plejaut, ka dallim shumë, shumë të madh. Dhe për këtë arsye si Suharekën ashtu edhe Llapin i presin të shtunën ndoshta ndeshjet më të rëndësishme të këtij kampionati.
Të dy skuadrat luajnë në udhëtim. Dhe kanë udhëtime të vështira. Suhareka luan ndaj Malishevës në stadiumin “Liman Gegaj”. Pikët vlerësohen shumë të rëndësishme edhe për Malishevën. Kjo skuadër është e treta me 52 pikë dhe synon ta mbajë këtë pozitë deri në fund për të garuar në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Nëse lëshon pikë, në vendin e tretë mund të dalin Gjilani apo Ferizaj, që i kanë nga 49 pikë.
Ndërkohë Llapi luan pikërisht në Suharekë, ndaj tashmë ish-kampionit, Ballkanit. Ballkani është i dyti me 61 pikë dhe do të përfundojë në këtë pozitë.
Nëse Ballkani e respekton kampionatin dhe jep maksimumin, gjë që shpresohet, atëherë me fitore mund t’i ndihmojë skuadrës tjetër të qytetit. Por motivi pritet të jetë dukshëm më i madh te llapjanët që edicionin e nisën me synime për të luftuar për titull, ndërsa tani nuk e kanë ende të sigurt mbetjen në Superligë.
Ndeshjet tjera të së shtunës janë: Dukagjini – Ferizaj, Feronikeli 74 – Prishtina, Gjilani – Drita. Derbi gjilanas ka peshë vetëm për Gjilanin. Drita tashmë e ka siguruar titullin e kampionit. Udhëheqë në tabelë me 70 pikë.
Prishtina pret fitore në Drenas ndaj Feronikeli 74 që do ta konfirmonte në Superligë dhe do t’i mundësonte të fokusohej plotësisht në ndeshjen finale të Kupës që e luan ndaj Llapit të enjten e ardhshme. Dukagjini po ashtu synon fitore ndaj Ferizajt për të konfirmuar vendin në Superligë. Por edhe Ferizaj do ta kërkojë fitoren për të shpresuar në daljen e parë në garat evropiane.
Xhiroja e fundit është më 25 maj. Ndeshjet e xhiros përmbyllëse janë: Ferizaj – Gjilani, Prishtina – Malisheva, Drita – Feronikeli 74, Llapi – Dukagjini, Suhareka – Ballkani.
Ka gjasa të mëdha që xhiroja e fundit të mos ofrojë asnjë rezultat “befasues”. Rrjedhimisht janë ndeshjet e së shtunës që mund të vendosin shumë gjëra.
Shpresohet në garë korrekte dhe që të gjitha skuadrat të japin maksimumin. Por në këtë fazë të kampionatit edhe “lojërat” jashtë fushës nuk përjashtohen.
Superliga – XXXV
E shtunë (16:00)
Dukagjini – Ferizaj
Feronikeli 74 – Prishtina
Gjilani – Drita
Malisheva – Suhareka
Ballkani – Llapi
Superliga – XXXVI
25 maj (16:00)
Ferizaj – Gjilani
Prishtina – Malisheva
Drita – Feronikeli 74
Llapi – Dukagjini
Suhareka – Ballkani
