Futboll

Tifozat Kuq e Zi dalin me reagim për biletat Shqipëri -Serbi

TKZ

Shqipëria më 21 mars luan në udhëtim ndaj Anglisë, kurse e pret Andorrën më 24 mars

Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar për mënyrën se si Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur t’i ndajë biletat për ndeshjen ndaj Serbisë.

Ndeshja Shqipëri - Serbi luhet më 7 qershor dhe i takon kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm. TKZ-ja e ka quajtur mashtruese Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Kur je pjesë e Tifozëve të Kombëtares, fiton ‘shortin’ pa short. Kur je TKZ, të përjashtojnë në emër të “gjithëpërfshirjes”. Mashtrimi ka emër: Federata Shqiptare e Futbollit. Reagimi ndaj kësaj padrejtësie nuk do mbetet një zemërim i shtypur, do jetë i ashpër dhe i pandalshëm”, shkruan në reagimin e TKZ-së.

TKZ-ja po ashtu ka publikuar dy komunikime. Në kërkesën e TKZ-së u është bërë e ditur procedura për t’u pajisur me biletë, ndërsa jo edhe për tifozët e kombëtares. Sipas një emaili të publikuar nga TKZ-ja, tifozët e kombëtares i kanë të garantuara biletat.

FSHF-ja ditë më parë njoftoi se ndarja e biletave për ndeshjen ndaj Serbisë do të përcaktohet me short.

Po ashtu të mërkurën bëri me dije se Klubi i Tifozëve të Kombëtares i ka të garantuara vendet në stadium.
“Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë anëtarët aktivë të Klubit të Tifozëve që kanë përfituar paketat për sezonin aktual, se për ndeshjen Shqipëri – Serbi më 7 qershor 2025 nuk është e nevojshme të regjistrohen në formularin për shortin e biletave. Vendin e tyre në stadium e kanë të garantuar dhe do të marrin një link të personalizuar për të kryer blerjen e biletës brenda periudhës së përcaktuar. FSHF falënderon të gjithë tifozët për mbështetjen e vazhdueshme!”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.