Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, është i lumtur që siguroi plejofin për kualifikim në Botëror. Ai është i lumtur që miliona shqiptarë i janë gëzuar këtij suksesi historik.
“Jam krenar që është hera e parë që arrijmë këtu dhe është kënaqësi për gjithë 10 milionë shqiptarët. Për ne si Federatë si kombëtare është arritje e madhe. E dija se do të jetë ndeshje e vështirë. Sot futbolli është modern dhe ka rritje te secili ekip. Ishte skuadër e vështirë për t’u fituar, por jam krenar me arritjen”, ka thënë Sylvinho.
Ai ka folur edhe për ndeshjen kundër Anglisë në Tiranë të dielën.
“Do të jemi në fushë ndaj një prej kombëtareve më të mira në botë. Është e rëndësishme që jemi në plejof një ndeshje para fundit të ciklit. Nuk kam menduar ende për ndeshjen ndaj Anglisë, por shpejtë do të nisim punën për atë përballje”, ka thënë Sylvinho.
Po ashtu ka uruar që Kosova ta sigurojë kualifikimin në Botëror.
“Shpresojmë edhe Kosova të vazhdojë para”, ka thënë Sylvinho.