Ballkani e ka thelluar të dielën krizën e Prishtinës edhe më shumë, dhe është forcuar në krye të tabelës së Superligës së Kosovës në futboll.
Me fitoren 3:1 të dielën në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani tani prin i vetëm me 32 pikë. Ka katër pikë më shumë se Dukagjini i dyti dhe pesë më shumë se Prishtina e treta, që e ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Dritës.
Derbi i xhiros së 17-të në Suharekë u vendos në pjesën e parë.
Prishtina e udhëhequr nga trajneri Afrim Tovërlani kaloi e para në epërsi me golin e Gentrit Salihut në minutën e 13-të.
Por më pas Ballkani i trajnerit Mislav Karoglan u kthye fuqishëm duke i shënuar tri gola.
Për 1:1 shënoi Bleart Tolaj, në minutën e 22-të.
Salihu më pas realizoi autogol për 2:1 në të mirë të suharekasve në minutën e 31-të.
Kur skuadrat po shkonin drejt pushimit mes pjesëve, në skenë u shfaq Valentin Serebe. Pas një topi të humbur të prishtinasve përfitoi Walid Hamidi, i cili me asistim të përkryer e gjeti Sereben. Sulmuesi këmbëshpejtë e kaloi portierin Altin Gjokaj dhe fitoi penallti. E ekzekutoi saktë atë dhe ia siguroi pikët e plota Ballkanit. Për Sereben ishte goli i 13-të në edicionin aktual.
Para se të fillonte ndeshja mes Ballkanit dhe Prishtinës, është mbajtur një minutë heshtje në nder të Dren Feratajt. Ferataj vdiq ditë më parë, ndërsa ishte anëtar i stafit të FC Prishtinës. Lojtarët e Prishtinës, Ballkanit dhe gjyqtarët e ndeshjes, mbajtën veshur fanellë me fotografi të tij. “Gjithmonë në zemrat tona, Dren”, ka shkruar Prishtina.
Për Ballkanin ishte fitorja e katërt rresht. E mposhti Dritën, Prishtinën e Re dhe Prishtinën tani në Superligë, ndërsa Rilindjen 1974 e kaloi në Kupën e Kosovës.
Prishtina nga ana tjetër mbetet pa fitore në Superligë prej 25 tetorit kur fitoi 2:0 ndaj Dukagjinit. Më pas u mposht nga Llapi, Malisheva, Prishtina e Re dhe tani nga Ballkani, ndërsa ka barazuar me Gjilanin dhe Ferizajn në xhiron e kaluar.
Super ndeshje në Suharekë, Ballkani në epërsi pas pjesës së parë
Ndeshje shumë e fortë dhe me katër gola të realizuar në pjesën e parë është zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Pjesa e parë e ndeshjes Ballkani - Prishtina, ka përfunduar 3:1 në të mirë të suharekasve.
Ky ballafaqim i takon xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Prishtina kaloi e para në epërsi me golin e Gentrit Salihut në minutën e 13-të. Më pas për Ballkanin realizuan Bleart Tolaj në minutën e 22-të, Salihu shënoi autogol për 2:1 në minutën e 31-të dhe Valentin Serebe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Serebe realizoi nga penalltia dhe ishte goli i 13-të për të në këte edicion.
Para se të fillonte ndeshja mes Ballkanit dhe Prishtinës, është mbajtur një minutë heshtje në nder të Dren Feratajt. Ferataj vdiq ditë më parë, ndërsa ishte anëtar i stafit të FC Prishtinës. Lojtarët e Prishtinës, Ballkanit dhe gjyqtarët e ndeshjes, mbajtën veshur fanellë me fotografi të tij. “Gjithmonë në zemrat tona, Dren”, ka shkruar Prishtina.