Seleksionuesi i Përfaqësueses së Italisë, Luciano Spalletti, ka pranuar se nuk ka pasur marrëdhënie të mirë me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis.
Spalletti e drejtoi Napolin nga viti 2021 deri në vitin 2023.
Ai në edicionin 2022/23 e udhëhoqi Napolin drejt titullit të kampionit në Itali.
66-vjeçari Spalletti në një intervistë për “Rai 1” theksoi se që nga ndarja me Napolin nuk ka kontaktuar më me Laurentiisin.
“Kisha raport problematik me De Laurentiisin. Duke pasur parasysh angazhimin tim, kisha dëshiruar që ai të ishte treguar më shumë njerëzor ndaj meje. Nuk kemi folur më që kur ndaluam së punuari bashkë”, ka thënë Spalletti.
Napoli, që tashmë drejtohet nga trajneri Antonio Conte, është në rrugë të mirë që ta fitojë titullin e kampionit në Serie A.
Napoli është lider me 77 pikë. Tri pikë më pak i ka Interi në vendin e dytë.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro.