Shkëndija e Tetovës është skuadra e vetme shqiptare që ka mbetur në garën kualifikuese elitare evropiane – Ligën e Kampionëve. Synimi i tetovarëve është të mbeten edhe më gjatë pjesë e kualifikimeve të Championsit. Por, për t’u kualifikuar në raundin tjetër kualifikues të Ligës së Kampionëve, ekipit të drejtuar nga Jeton Beqiri i duhet fitore e madhe në Baku kundër kampionit të Azerbajxhanit, Qarabag.
Ndeshja kthyese e raundit të tretë kualifikues të Championsit ndërmjet Qarabagut dhe Shkëndijës, zhvillohet të martën në Baku nga ora 18:00.
“Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ne në këtë ndeshje nuk e kemi situatën se çfarë do të humbim nga ndeshja e parë, për shkak se ne e kemi humbur atë. Është e rëndësishme që të futemi në lojë dhe të provojmë gjithçka për gjithçka. Të jemi një skuadër e organizuar, skuadër e cila do të jetë agresive në sulm, normalisht edhe do të mbrohet mirë dhe është e rëndësishme që disa nga ato rastet e krijuara, të shënojmë dhe pastaj në futboll gjithçka është e mundur, unë kam shumë shpresë se do të bëjmë një paraqitje të mirë dhe shpresoj që ne të jemi skuadra që do të gëzohet në fund”, ka thënë trajneri Beqiri në konferencë për media.
Futbollistët e Shkëndijës së Tetovës humbën me rezultat minimal 1:0 nga Qarabagu i Azerbajxhanit javën e kaluar në Shkup. Por, pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë, Beqiri beson se Shkëndija ka ende mundësi për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.
“Mendoj që në ndeshjen e parë nuk e kishim freskinë e duhur fizike sa i përket skuadrës, normalisht dhe në këtë aspekt ekipi i Qarabag ishte shumë më mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Besoj që një nga faktorët që vendosën në ndeshjen e parë, ishte edhe goli i pranuar nga ana jonë, ishte një gol aksidental dhe pastaj ekipet e mira dinë t’i shfrytëzojnë rastet, ku patën edhe disa raste të tjera për të na ndëshkuar, por edhe ne i patëm rastet tona që nuk arritëm t’i shfrytëzojmë”, është shprehur Beqiri.
Ai insiston se presioni do të jetë në anën e Qarabagut.
“Ne nuk u paraqitëm mirë në pjesën e parë në ndeshjen në Shkup. Besoj që edhe ajo që e përmenda më herët, freskia fizike e kishte ndikimin e vet, por e rëndësishme është që rezultati ende është aktiv dhe ne kemi shpresë se këtu do të luajmë më mirë, kemi shpresë se do të bëjmë një ndeshje të madhe dhe besoj që ne do të jemi ata që në disa momente do ta rrezikojmë Qarabagun, për shkak se presioni psikologjik nuk do të jetë në anën tonë dhe ne do të tentojmë të fitojmë dhe normal të kualifikohemi”, ka shtuar Beqiri.
Përkrah Beqirit në konferencë u paraqit edhe futbollisti Kamer Qaka. Ai e ka cilësuar të vështirë përballjen në Baku. Por premton ndeshje të fortë.
“Presim një ndeshje të vështirë, por kemi shpresa të mira për lojën. Do të bëjmë një ndeshje të fortë përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe do Zoti dalim me fitore”, ka thënë Qaka.
Ai e ka vlerësuar Qarabagun.
“Nuk kam asnjë lojtar të preferuar. Është një lojë ekipore dhe është skuadër shumë e fortë. Ne hyjmë në lojë për ta fituar ndeshjen. Kështu mendojmë të gjithë lojtarët, jo vetëm unë. Por do të jetë shumë sfidë e vështirë, por ne do të shkojmë për rezultat pozitiv”, ka thënë Qaka.
Nëse e eliminon Qarabagun, skuadra tetovare në plejofin e Ligës së Kampionëve do të përballet me Ludogoretsin e Bullgarisë apo me Ferencvaroshin e Hungarisë. Këto dy skuadra luajtën baras pa gola në ndeshjen e parë në Bullgari. Ndeshja kthyese është në Hungari të martën nga ora 20:15.