Futboll

Ronaldo nuk mungon në ndeshjen e parë të Botërorit pavarësisht kartonit të kuq

Cristiano Ronaldo

Cristiano Ronaldo nuk do t’i mungojë Portugalisë në Kupën e Botës 2026, pavarësisht kartonit të kuq që e mori në ndeshjen e parafundit kualifikuese për goditjen me bërryl të një kundërshtari irlandez.

FIFA publikoi të martën vendimin disiplinor për pezullim prej tri ndeshjesh për Ronaldon, dy prej tyre me kusht për një vit.

Pezullimi aktivizohet nëse Ronaldo gjatë periudhës njëvjeçare bën shkelje serioze.

Ronaldo vuajti pezullimin e detyrueshëm prej një ndeshje kur Portugalia luajti takimin e fundit kualifikuese javën e kaluar. Me fitoren ndaj Armenisë 9:1, Portugalia siguroi vendin në Kupën e Botës që vitin tjetër mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Superylli pritej të suspendohej me të paktën një ndeshje tjetër dhe ta niste paraqitjen e tij të gjashtë në Kupën e Botës pa luajtur ndeshjen e parë.

Portugalia ka planifikuar dy ndeshje miqësore në mars, pastaj një ose dy të tjera në fund të majit ose fillim të qershorit. Kupa e Botës 2026 fillon më 11 qershor.