Në moshën 27-vjeçare, Mërgim Berisha do të duhej të ishte ndoshta në kulm të karrierës.
Berisha që në moshë të re është vlerësuar me potencial të madh, ndërsa pritjet prej tij ishin shumë të mëdha. Por si shumë lojtarë të tjerë të talentuar, Berisha nuk e ka shfaqur atë që pritej prej tij.
Të paktën jo deri më tani.
I lindur në Gjermani, Berisha nisi ta mësonte futbollin te skuadra gjermane, Bischofswiesen. Herët kaloi në Austri, ku e vazhdoi zhvillimin e suksesshëm te Red Bull Salzburgu.
Kishte periudha huazimi te LASK-u e Altachu në Austri dhe te Magdeburgu në Gjermani. Në shtator të vitit 2021 bëri transferim të madh duke kaluar te Fenerbahçe në Superligën turke. Pas një viti kaloi huazim tek Augsburgu në Bundesligë. Klubi gjerman, Augsburg, e bleu më 2 korrik të vitit 2023, ndërsa e shiti menjëherë më 30 gusht 2023 te Hoffenheimi. Sipas raportimeve të kohës, Augsburgu e bleu kartonin e Berishës për 4 milionë euro, ndërsa e shiti për 14 milionë euro te Hoffenheimi.
Në një tjetër lëvizje interesante, ai u huazua sërish tek Augsburgu në janar të vitit të kaluar, ndërsa huazimi i përfundoi më 30 qershor.
Sulmuesi i qendrës është pra pjesë e Hoffenheimit, ku paraqiten edhe tre reprezentuesit e Kosovës, Fisnik Asllani, Leon Avdullahu e Albion Hajdari. Ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Por nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë edicion. Madje as nuk është grumbulluar.
Ndeshjen e fundit e luajti më 20 prill 2025 për Augsburgun ndaj Eintracht Frankfurtit. Golin e fundit e ka realizuar më 14 shtator 2024 për Hoffenheimin.
Ka pasur raportime që Berisha sërish mund të transferohet tek Augsburgu. Por kjo duket pak e realizueshme.
“Para një viti, Augsburgu e huazoi Mërgim Berishën nga Hoffenheimi. Sulmuesi u bë lojtar reprezentues tek Augsburgu, por asnjëherë vërtet nuk u stabilizua te Hoffenheimi më pas. Periudha e tij e dytë tek Augsburgu po ashtu përfundoi me dëshpërim. Pas disa lëndimeve, Berisha nuk u rikuperua asnjëherë plotësisht dhe mbeti në hije. Palët ndanë rrugën sërish në verë”, ka shkruar të mërkurën “Augsburger-Allgemeine”.
Augsburgu të mërkurën e huazoi sulmuesin me përvojë, 31-vjeçarin Michael Gregoritsch. Dhe mediumi i afërt me këtë klub ka lënë të kuptohet se Berisha nuk do të transferohet më.
Berisha ka luajtur me shumë sukses te Gjermania U21. Madje ka fituar titullin e Evropës në grupmoshën U21 në vitin 2021. Në mars të vitit 2023 ai i luajti dy ndeshje miqësore për Gjermaninë A. U paraqit ndaj Perusë dhe Belgjikës. Por më pas nuk u ftua.
Kosova e ka kërkuar dhe e ka pritur për kohë të gjatë, por sulmuesi kishte plane të tjera. Ka synuar të luajë për Gjermaninë.
Pasi nuk ka ende ndeshje garuese me Gjermaninë A, e ka të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses. Te Kosova vështirë se do të jetë opsion ndonjëherë, edhe nëse shfaq interesim, ndër të tjera edhe për shkak të konkurrencës shumë të madhe në sulm. Edhe qasja ndaj Kosovës vështirë se mund ta afrojë atë me “Dardanët” ndonjëherë.
“Mërgim Berishën e kemi pritur për katër vjet dhe kemi qenë në kontakt vazhdimisht me të, duke i ofruar gjithçka që mund t’i ofrohet. Por, nëse ëndrra e tij ka qenë të luajë me Gjermaninë, po i realizohet tani. Edhe Mërgim Berisha dhe shumë lojtarë që kanë zgjedhur Zvicrën tash, Kosovën po e përdorin për të bërë presion te federatat e tjera për t’i ftuar”, kishte deklaruar menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, më 20 mars 2023.
Kosova ka ecur shumë para prej atëherë. Kjo nuk mund të thuhet për Berishën. Ai tani po pret për ndeshjen e radhës. Në nivel klubesh, pasi në përfaqësuese aktualisht nuk është ndonjë opsion.