Xabi Alonso nuk është më trajner i Real Madridit. Këtë e bëri të ditur klubi mbretëror spanjoll të hënën mbrëma.
Sipas njoftimit, Madridi e Alonso kanë ndarë rrugët me marrëveshje të dyanshme. Ndarja erdhi një ditë pasi Real Madridi humbi nga Barcelona në finale të Superkupës së Spanjës. Në Arabi Saudite, të dielën mbrëma, Barça fitoi 3:2 për të vazhduar dominimin ndaj skuadrës madrilene. Kjo është pritur rëndë te Real Madridi, që vendosi t’i jap fund periudhës së Alonxos në krye të skuadrës.
“Real Madridi njofton që me marrëveshje të dyanshme të klubit dhe Xabi Alonsos, është vendosur që të përfundojë koha e tij si trajner i ekipit të parë. Alonso do të admirohet gjithnjë nga tifozët e Madridit pasi ai ëhstë legjendë e Real Madridit dhe gjithnjë ka prezantuar vlerat e klubit tonë. Real Madridi do të jetë gjithnjë shtëpia e tij. Klubi ynë e falënderon Xabi Alonson dhe gjithë stafin e tij teknik për punën dhe përkushtimin gjatë kësaj kohe”, shkruan në komunikatën e Real Madridit.
44-vjeçari Alonso mori drejtimin e Real Madridit më 1 qershor të vitit të kaluar. Firmosi për tri vjet, ndërsa erdhi në vend të Carlo Ancelottit. Madridi ia dha rastin Alonsos pas suksesit të madh të spanjollit me Bayer Leverkusenin në Gjermani. Leverkusenin e udhëhoqi drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Gjermanisë brenda një periudhe të shkurtër.
Por rezultatet e skuadrës madrilene nuk ishin ato që priteshin, ndërsa dështimi në Superkupë ishte kulmi. Edhe në muajin e kaluar është pritur shkarkimi i Alonsos, por ai megjithatë mbijetoi edhe për një kohë.
Te Bayer Leverkuseni, Alonso ishte prej vitit 2022 e deri në verën e kaluar. Ka drejtuar edhe Real Sociedadin B.
Si futbollist, Alonso kishte karrierë impresive. Te Real Madridi luajti prej viti 2009 e deri në vitin 2014. Ishte edhe te Liverpooli e Bayerni. Për Spanjën i ka luajtur 114 ndeshje, ndërsa i shënoi 16 gola.
Alonso e lë Madridin në vendin e dytë në La Liga. Kjo skuadër i ka 45 pikë nga 19 ndeshje. Barcelona është lidere me 49 pikë.
Në Ligën e Kampionëve, Madridi është i shtati me 12 pikë.
Trajner i ri i Real Madridit është Alvaro Arbeloa. Ai ishte trajner i ekipit të dytë të Madridit nga qershori i vitit të kaluar. Arbeloa gjithë karrierën si trajner e ka kaluar në akademinë e Madridit.