Futboll

Podolski po luan ende dhe bleu aksione në klubin ku paraqitet

Lukas Podolski

Lukas Podolski

Ish-sulmuesi i Bayernit, Arsenalit e Interit, Lukas Podolski po luan ende në futbollin profesionist. 40-vjeçari është pjesë e skuadrës polake, Gornik Zabrze. Te kjo skuadër është prej vitit 2021. 

Dhe Podolski tani ka nisur edhe të investojë te ky klub. Pos karrierës së suksesshme në futboll ai njihet edhe si afarist shumë i suksesshëm. Ndër të tjera kishte bërë bujë suksesi që kishte arritur me lokale të donerit.

Podolski dhe klubi polak kanë njoftuar se ai bleu aksione përmes kompanisë që e drejton LP Holding GmbH. Podolski ka blerë 104 mijë e 611 aksione të regjistruara të Gornik Zabrze SA, që në total përfaqësojnë 8,3 për qind të kapitalit aksionar të klubit.

Podolski tani është aksionari i dytë më i madh në klub. Dhe befasisht është pronar i vetvetes, shkruan “Kicker”.

Vetëm qyteti i Zabrzes ka më shumë aksione, por tashmë ka inicuar procesin e privatizimit.

Që nga viti 2021, polaku Podolski ka luajtur në 128 ndeshje për Gornikun, duke shënuar 25 gola dhe duke i bërë 22 asistime. Vetëm te Kolni ai ka luajtur më shumë – i kishte 181 paraqitje, 86 gola e 41 asistime. Ndonëse polak, ai i luajti plot 130 ndeshje për Gjermaninë, ndërsa i realizoi 49 gola.
“Gornik Zabrze është klubi im, shtëpia ime dhe familja ime e futbollit. Jam jashtëzakonisht i entuziazmuar që e bëj hapin e radhës dhe që përfshihem në të ardhmen e Gornikut. Besoj në këtë projekt dhe njerëzit prapa tij. Dua që klubi të vazhdojë zhvillimin në kuptimin sportiv, financiar dhe organizativ”, ka thënë Podolski. 

Si lojtar ai ka kontratë deri në verë. Por tani edhe më shumë varet prej tij nëse do të vazhdojë të luajë.
Podolski është i lindur në Gliwice të Polonisë.

Pos te Kolni, Bayerni, Arsenali e Interi, ka luajtur edhe te Galatasaray, Vissel Kobe në Japoni dhe tek Antalyaspori.