Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Pas paraqitjes me Kosovën, Shaipi shkëlqen në Zvicër

Amir Shaipi

Portieri Amir Shaipi po kalon moment të mirë në karrierë. Pas paraqitjes solide për Kosovën në fitoren 2:0 ndaj Sllovenisë në Lubjanë më 15 nëntor, Shaipi ishte në stol në barazimin 1:1 me Zvicrën në “Fadil Vokrri”, më 18 nëntor. Aro Muriq u kthye nga suspendimi dhe ishte portier i parë në atë ndeshje.

Shaipi vazhdon të jetë portier i dytë te Kosova, por po jep shenja se po e kthen  “pozitën” e portierit të parë te Lugano, skuadra e Superligës së Zvicrës në futboll.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shaipi për kohë shumë të gjatë ishte portier i parë i Luganos. Megjithatë pësoi rënie në formë në verë dhe ky klub mori huazim nga Young Boysi portierin me përvojë, David von Ballmos. Ai ishte portier i parë që nga fillimi i shtatorit, duke e zhvendosur Shaipin në stol, por u lëndua në fillim të nëntorit.

Kështu Shaipi e fitoi rastin ndaj Baselit më 9 nëntor dhe pati paraqitje të mirë. Ndërkohë po vlerësohet më meritori për fitoren 1:0 të Luganos ndaj Thunit, të shtunën mbrëma. I kishte nëntë pritje.

Gazeta e madhe zvicerane, “Blick”, ka publikuar të dielën një shkrim për Shaipin dhe kthimin e tij në formë. “Blick” ka shkruar se Shaipi me pritje të suksesshme dhe qetësinë e shfaqur në momentet kritike, ka udhëhequr Luganon drejt fitores.

“Blick” ka vlerësuar se Shaipi ishte “faktor vendimtar” në fitoren 1:0 të Luganos në udhëtimin e vështirë te Thuni. 25-vjeçari po e shfrytëzon maksimalisht mundësinë e ofruar.

“Me besim, reagim të shpejtë dhe prani të vazhdueshme, ai vazhdimisht ka mohuar golin e Thunit. Shaipi qëndroi i ftohtë, bëri pritje dhe i dha ekipit besimin e duhur”, ka shkruar gazeta zvicerane, ndër të tjera.

Uran Bislimi i Luganos u ndëshkua me karton të kuq në mesin e pjesës së dytë, por kjo nuk pati ndikim në përqendrimin dhe paraqitjen e Shaipit.

“Fakti që e kemi mbajtur portën e paprekur e bën më të veçantë për mua”, ka thënë Shaipi. Ai megjithatë ishte modest.

“Falënderimet i takojnë gjithë skuadrës. Pa përkrahjen e lojtarëve këto pritje nuk do të ishin të mundura”.

Trajneri Mattia Croci-Torti, ka lavdëruar portierin kosovar.

“Ai nuk kishte konkurrencë për kohë të gjatë. Tani i kemi krijuar konkurrencë dhe ai ka reaguar shkëlqyeshëm”, ka thënë Croci-Torti.

Shaipi e kishte pranuar rëndë vendimin që të zhvendosej në stol. Por duket që ka reaguar mirë.

“Familja ime dhe trajneri i portierëve më kanë shtyrë gjithnjë para. Tani mund t’i pranoj këto momente dhe t’i shijoj. Por ende ka shumë punë për të bërë”, ka thënë Amir Shaipi.

Forma e tij është e rëndësishme edhe për Kosovën. Edhe Aro Muriqit i duhet konkurrenca e shëndoshë, ndërsa përfaqësueses një portier tjetër cilësor, nëse Aro mungon për ndonjë arsye.