Pas Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, me reagim të enjten ka dalë edhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS). KAS-i, që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës, i ka cilësuar paragjykuese, tendencioze dhe dashakeqe sulmet e FFK-së.
Në reagim thuhet se kryetari i KAS-it nuk ka ndikuar në vendimin që ka marrë në favor të klubit të futbollit Prishtina.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPrishtina nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave evropiane. Prishtina nuk e kishte pranuar këtë vendim dhe i ishte drejtuar KAS-it. Dhe ky organ të martën ka vendosur se ankesa e Prishtinës kundër FFK-së ishte e bazuar. KAS-i ka vendosur të anulohet vendimi i 26 majit të vitit 2023, që nuk e licenconte Prishtinën.
FFK-ja akuzoi kryetarin e KAS-it, Eroll Salihun për ndërhyrje, ndërsa vlerësoi se vendimi cenon parimet e drejtësisë sportive dhe dëmton zhvillimin e futbollit. Salihu për shumë vjet ka qenë sekretar i FFK-së. FFK-ja ka paralajmëruar padi dhe kallëzim penal ndaj Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS) dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Lozanë për vendimin që ka marrë në favor të Prishtinës.
“KAS, deklarimet e tilla të pavërteta i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të punës së suksesshme të këtij institucioni, duke vlerësuar se sulmet e tilla, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të KAS-it. Nisur nga fakti se nuk është hera e parë që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga FFK-ja, KAS i bën thirrje FFK-së dhe të gjithë personave të tjerë që kanë synim pengimin e këtij institucioni në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta dhe tendencioze”, shkruan në reagimin e KAS-it.
KAS-i ka insistuar se është institucion kredibil dhe kompetent për të vendosur drejtësinë sportive. KAS pret që vendimi i tij të zbatohet nga FFK-ja.
“Këshilli i Arbitrazhit Sportiv bën apel për zbatimin e vendimeve të tij nga të gjitha palët e përfshira në procesin sportiv. Zbatimi i këtyre vendimeve është thelbësor për ruajtjen e integritetit të sistemit sportiv dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë.
Për më tepër, KAS siguron opinionin publik, se sulmet e tilla, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë në punën, profesionalizmin dhe funksionimin e tij. KAS si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi për të mbrojtur interesin e sportit dhe të sportistëve”, shkruan në reagimin e KAS-it.
Prishtina, si fituese e Kupës së Kosovës, nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave të UEFA-s. Ai vendim ia mohojë Prishtinës paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës, që do të sjellë qindra mijëra euro për klubin. Tani pas vendimit të KAS-it, Prishtina pritet t’i kërkojë deri 3.6 milionë euro kompensim nga FFK-ja.