Më 7 qershor në “Arena Kombëtare” në Tiranë zhvillohet ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndeshja i takon kualifikimeve për Botërorin 2026. Derisa për kuqezinjtë do të jetë ndeshja e tretë në kualifikime, Serbia e luan ndeshjen e parë.
Serbët janë të vetëdijshëm që në Tiranë i pret ndeshje shumë e vështirë. Gara për pozitën e dytë në grup pritet të jetë mes Shqipërisë dhe Serbisë, derisa favorite për vendin e parë është Anglia.
“Shtabi teknik i ‘shqiponjave’ lundron në Evropë para fillimit të kualifikimeve të Kampionatit Botëror, në qershor”, ka shkruar të martën sajti zyrtar i federatës serbe.
Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq dhe gjithë anëtarët e shtabit teknik të tij po bëjnë vizita të shumta në skuadra të ndryshme evropiane. Stojkoviqi dhe ndihmësit e tij po vizitojnë dhe po zhvillojnë biseda me lojtarët e Serbisë dhe ata që janë me potencial për t’u bërë lojtarë të kësaj përfaqësuese.
Kjo dëshmon që serbët po e trajtojnë me seriozitet maksimal ndeshjen e 7 qershorit në Tiranë.