Futboll

Në Suedi shiten të gjitha biletat për ndeshjen me Kosovën, një lojtar i rëndësishëm synon kthimin

suedia

Federata e Futbollit e Suedisë ka njoftuar të premten se të gjitha biletat për dy ndeshjet e tetorit janë shitur.

Suedia më 10 tetor e pret Zvicrën në Solna, në ndeshjen e tretë kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ndërkohë më 13 tetor është ndeshja Suedi – Kosovë, që zhvillohet në stadiumin “Ullevi”, në Goteborg. Ky stadium ka kapacitet prej 43 mijë ulëseve, ndërsa pritet të jetë plot për ndeshjen me të përzgjedhurit e Franco Fodas.

Suedezët tashmë kanë nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen ndaj Sllovenisë, që luhet më 18 nëntor në Solna. Ajo është ndeshja e fundit kualifikuese për Botërorin 2026.

Suedia ka mbetur prapa në garën për kualifikim. Më 5 shtator, suedezët luajtën 2:2 me Slloveninë në Lubjanë. Ndërkohë më 8 shtator pësuan humbje 2:0 nga Kosova në Prishtinë. Ajo humbje është përjetuar rëndë nga suedezët.

Pas ndeshjes në Prishtinë, në emër të lojtarëve të Suedisë ishte publikuar një letër, përmes të cilës kërkohej përkrahja e mëtejme e tifozëve.

“Ne jemi të gjithë të dëshpëruar. Fillimi i kualifikimeve për Kupën e Botës nuk ishte ai që kemi pritur. E dimë që situata është e vështirë”, shkruante ndër të tjera në letër.

Kishte shumë reagime negative për atë letër në rrjetet sociale, por edhe në mediat tradicionale të Suedisë. Ndërkohë përmbajtja e letrës solli pakënaqësi edhe në Federatën suedeze, shkruan “fotbollskanalen.se”.

Ka pasur reagime dhe diskutime brenda Federatës. Përmbajtja nuk është vlerësuar e duhura. Drejtuesve të Federatës u ka penguar fakti që letra dukej si kërkimfalje. Lojtarët dhe drejtuesit e përfaqësueses nuk ishin të përfshirë në shkrimin e letrës. Kështu që përgjegjësia duket që është e përgjegjësve për marketing dhe marrëdhënie me publikun.

Për ndeshjen ndaj Kosovës së fundi foli edhe lojtari suedez me përvojë, Emil Forsberg. Ai po luan për New York Red Bulls në SHBA, ndërsa për Suedinë i ka 90 paraqitje e 21 gola. 33-vjeçari nuk është ftuar nga nëntori i vitit të kaluar.

Ai shpreson të kthehet që në ndeshjet e tetorit. Shpreson që përfaqësuesja nuk është kapitull i mbyllur për të.

“Selektor Jon Dahl Tomasson dhe unë kemi pasur një bisedë të mirë. Por nuk mund të ndikoj se kë e përzgjedh ai. Gjithnjë mendoj se duhet të jem në përfaqësuese, pasi ndiej se jam i mirë mjaftueshëm dhe do të ofroja shumë. Por unë vetëm mund të jap më të mirën time”, ka thënë Forsberg, që ka shtuar se e rëndësishme është që Suedia të fitojë dhe të kualifikohet në Botëror.

Për ndeshjet e shtatorit, lojtari me përvojë thekson se është dashur të fitohen nga Suedia.

“Është e qartë që është e vështirë të mposhtesh nga Kosova dhe të marrësh vetëm një pikë ndaj Sllovenisë. Tani janë dy ndeshje të rëndësishme në shtëpi dhe shpresoj se do të jenë dy fitore. Kështu situata do të dukej shumë më e mirë”, ka theksuar ish-futbollisti shumëvjeçar i RB Leipzigut.