Edon Zhegrova paraqitet goxha shpesh nga Juventusi në profilet e klubit në rrjetet sociale. Kjo ndër të tjera dëshmon rëndësinë që e ka ai te Juve, por edhe pritjet e mëdha të klubit prej kosovarit.
Megjithatë paraqitjet në fushë me fanellën e Juventusit ishin goxha të rralla për Zhegrovën, që nga transferimi i tij në fillim të shtatorit nga Lilla.
Në tri ndeshje për Juventusin në Serie A, Zhegrova ka luajtur 58 minuta gjithsej. Më pak minuta ka luajtur në Ligën e Kampionëve. Ai është aktivizuar vetëm 28 minuta po ashtu në tri paraqitje. Në shumë prej ndeshjeve qëndron në stol dhe nuk aktivizohet.
Zhegrova është i vetmi lojtar ofensiv në skuadrën e Juventusit që ende nuk ka pasur rastin të paraqitet nga fillimi në edicionin aktual. Juventusi e nisi edicionin me Igor Tudorin dhe tani drejtohet nga Luciano Spalletti.
Spalletti ka lënë të kuptohet se edhe të martën në ndeshjen për Kupë të Italisë kundër Udineses, Zhegrova mund të paraqitet disa minuta si zëvendësues.
“Zhegrova vjen nga një lëndim i gjatë. Ai është një forcë, sepse sapo fillon të luajë mund të shpërthejë në çdo moment. Ai ka talent të tillë sa nuk e di kurrë se çfarë do të nxjerrë në pah në çdo moment. Pastaj njerëzit flasin për këtë stil futbolli, duke e krahasuar atë me stilin e vjetër, duke thënë se numri 10 është zhdukur, sepse duhet të matet me forcën e ekipeve dhe lojtarëve. Zhegrova duhet të zgjerojë gamën e tij të veprimit dhe e ka të vështirë kur loja bëhet luftë e vazhdueshme. Për këtë moment do ta shikoja më shumë gjatë lojës”, ka thënë Spalletti të hënën në konferencë për media.
26-vjeçari ishte transferuar me bujë në fund të afatit kalimtar të verës nga Lille te Juventusi. Juve e transferoi, ndonëse për shkak të telasheve në ije, përkatësisht në pjesën e poshtme të barkut, Zhegrova nuk kishte luajtur që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar.
Ai debutoi te Juventusi më 16 shtator në barazimin 4:4 me Dortmundin në Champions. Ndonëse luajti pak, bëri gjëra të mira në fushë dhe dha shenja se do të jetë i vlefshëm.
Më pas luajti ndaj Veronas në Serie A më 20 shtator dhe ndaj Atalantas më 27 shtator. Së fundi në Serie A luajti kundër Torinos në derbi. U paraqit 25 minuta në ndeshjen që përfundoi 0:0.
Me Kosovën nuk u grumbullua në shtator, ndërsa në tetor luajti si zëvendësues. Pak minuta mori me Slloveninë në Prishtinë, derisa ndaj Suedisë në Goteborg luajti nga minuta e 71-të. Muajin e kaluar, kur Kosova arriti sukses historik duke siguruar plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026, Zhegrova luajti 27 minuta në Prishtinë kundër Zvicrës. Ndaj Sllovenisë mbeti në stol.