Mbrojtësi anglez i Arsenalit, Myles Lewis-Skelly, ka thënë se dëshiron të mbetet për kohë të gjatë tek Arsenali, pasi nënshkroi kontratë të re pesëvjeçare me klubin e fëmijërisë.
Lewis-Skelly debutoi me ekipin e seniorëve në sezonin e kaluar, dhe më pas është kthyer në lojtar të rëndësishëm për trajnerin Mikel Arteta.
Lajmi për vazhdimin e kontratës së Lewis-Skellyt, i cili luajti në 39 ndeshje në të gjitha garat në sezonin e kaluar, u bë i ditur të enjten.
18-vjeçarit i skadonte kontrata e vjetër në vitin 2026.
Arsenali e përfundoi sezonin në Premier League në vendin e dytë, me dhjetë pikë më pak se Liverpooli kampion.
“Me këtë skuadër dua të fitoj çdo gjë që mund të fitohet. Kam marrë shumë eksperiencë nga ndeshjet e kaluara, por kam mësuar edhe nga gabimet që i kam bërë. Jam më se i gatshëm për sezonin e ri. Dua vetëm të mësojë e të përmirësohem”, ka deklaruar mbrojtësi i krahut të majtë i Arsenalit, që kontribuoi me një gol e tri asistime.
Në muajin mars, Lewis-Skelly u bë golashënuesi më i ri që shënon për Anglinë në debutim. Ai kishte realizuar në fitoren 2:0 ndaj Shqipërisë në “Wembley”, në ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës 2026.