Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova vazhdon dominimin ndaj Bullgarisë, i afrohet vendit të parë në grup

ff

Futbollistet e Kosovës e kanë vazhduar dominimin ndaj futbollisteve të Bullgarisë.

Të martën pasdite në Sofje, Kosova fitoi 3:1 ndaj Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Kosova tani i ka gjashtë fitore e një barazim në shtatë përballje me Bullgarinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ishin bullgaret që kaluan në epërsi 1:0 në ndeshjen në Sofje. Aleksandra Yaneva realizoi në minutën e nëntë.

Në minutën e 15-të Kosova fitoi goditje nga këndi. Kapitenia Erëleta Memeti mori përgjegjësinë dhe gjuajti direkt në portë. Dhe topi gjeti cakun për 1:1. Memeti tani i ka pesë gola në ndeshjet ndaj Bullgarisë. 

Menjëherë në minutën e 21-të, “Dardanet” kaluan në epërsi 2:1. Mbrojtësja Blerta Smaili shënoi me goditje të bukur me kokë.

Me rezultatin 2:1 përfundoi pjesa e parë. Dhe dukej që ky do të ishte rezultati edhe në fund. Por pas një tollovie të krijuar në minutën e 89-të, për 3:1 shënoi mbrojtësja tjetër, Albulena Fejza. 

Kosova ka dominuar në fushë dhe këtë e dëshmojnë edhe 13 rastet e krijuara, për dallim nga tri sa i kishin bullgaret. Goditje që shkuan në portë, Kosova i kishte katër e Bullgaria vetëm dy.

Me fitore Kosova është forcuar në vendin e parë në Grupin C1 të kualifikimeve evropiane për Botërorin 2027. Në mars, Kosova fitoi 6:0 ndaj Gjibraltarit në Prishtinë dhe 1:0 ndaj Kroacisë në Karlovc. Tani i ka nëntë pikë nga tri ndeshje. Pas katër ditësh është ndeshja Kosovë – Bullgari, në “Fadil Vokrri”. Me fitore edhe në atë ndeshje, Memeti dhe lojtaret e tjera do të bënin hap gjigant drejt vendit të parë në grup. Më pas do të duhet vetëm të shmangin humbjen nga Kroacisë në ndeshjen në shtëpi, më 5 qershor.

Prej Ligës C, kualifikimi direkt në Botëror nuk është i mundur. Por vendi i parë garanton paraqitjen në plejofin kualifikues dhe avancimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Kualifikimi në plejof është i mundur edhe prej pozitës së dytë, por qartë se vendi i parë në grup është synimi i “dardaneve”.


Kosova në epërsi 2:1 ndaj Bullgarisë, Memeti shënon nga këndi

Futbollistet e Kosovës po udhëheqin 2:1 ndaj Bullgarisë pas pjesës së parë të ndeshjes në Sofje.
Bullgaret kaluan në epërsi 1:0 në minutën e nëntë. Por kapitenia Erëleta Memeti shënoi me goditje direkt nga këndi në minutën e 15-të për 1:1.

Ndërkohë gol të bukur shënoi edhe Blerta Smaili në minutën e 21-të për 2:1.

Ndeshja i takon kualifikimeve për Botëror.