Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Interin e pret punë e vështirë në Champions

Inter

Në Serie A po marshon drejt titullit të kampionit, por në Ligën e Kampionëve skuadrën e Interit e pret punë e vështirë për të kaluar në një të tetën e finales.

Të martën prej orës 21:00, Interi e pret skuadrën norvegjeze Bodo/Glimt, në ndeshjen e kthimit të plejofit në Champions. Të mërkurën e kaluar në Norvegji, gjiganti italian humbi me rezultatin 3:1.
Interit i duhet fitorja me tri gola dallim për të avancuar në një të tetën e finales.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas humbjes në Norvegji, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu, reagoi duke fituar 2:0 ndaj Lecces në Serie A. Në kampionatin italian, Interi i ka shtatë fitore rresht. Ndërkohë pa humbje është në 14 ndeshjet e fundit kampionale. Është lider me 64 pikë, dhjetë më shumë se Milani i vendit të dytë.
Megjithatë Interi ka pretendime edhe në Champions. Dhe kalimi në një të tetën e finales mund të jetë synim minimal.

“Do të provojmë që të kthehemi. Do të jetë një ndeshje sulmuese. Qasja jonë do të jetë plotësisht sulmuese. Duhet të jemi gati që të luajmë 120 minuta”, ka thënë trajneri i Interit, Christian Chivu.

Nëse Interi fiton me dy gola dallim, ndeshja shkon në vazhdime.

“Në ndeshjen e parë është dashur të paraqitemi më mirë dhe ka shumë dëshpërim. Megjithatë e kemi lënë prapa atë ndeshje. Tani jam i interesuar për qasjen dhe besimin që do të kemi. Duhet të bëjmë paraqitjen më të mirë të mundshme, të vetëdijshëm që mund të përmbysim rezultatin”, ka shtuar Chivu.

Bodo/Glimti po e kalon momentin më të mirë si klub. Në fazën e ligës barazoi 2:2 me Sparta Pragën dhe Tottenham Hotspurin. Pas humbjeve nga Galatasaray, Monaco e Juventusi, barazoi 2:2 me Borussia Dortmundin, fitoi 3:1 ndaj Manchester Cityt dhe 2:1 ndaj Atletico Madridit. Kështu norvegjezët e siguruan avancimin në fazën e plejofit.

“Ne nuk duhet vetëm të mbrohemi. Për mua më mirë është të dalim në fushë me idenë që jemi 0:0 se të vendosemi thellë në mbrojtje. Duhet të kemi balancë. Nuk është mirë të jemi shumë defensivë dhe të provojmë përmes kundërsulmeve. I gjithë ekipi duhet të mbrohet, por po ashtu duhet të sulmojmë bashkë. Kjo është mënyra jonë e të menduarit”, ka thënë Kjetil Knutsen, trajner i Bodo/Glimtit. 

Të martën janë edhe tri ndeshje të tjera të plejofit.

Nga ora 18:45 takohen Atletico Madridi dhe Club Brugge. Edhe kjo ndeshje pritet të jetë shumë interesante, ndonëse Atletico në “Metropolitano” është favorite.

Ndeshja në Belgjikë kishte përfunduar 3:3, kurse Brugge golin e fundit e realizoi në minutën e 89-të.
Prej orës 21:00 janë edhe takimet Newcastle United – Qarabag dhe Bayer Leverkusen – Olympiacos.
Për Newcastlen ndeshja do të jetë formalitet, pas fitores 6:1 ndaj Qarabagut në Baku të Azerbajxhanit. Edhe skuadra gjermane, Bayer Leverkusen, është në pozitë shumë të volitshme. E mposhti Olympiacosin në Greqi me rezultatin 2:0.

Katër ndeshje tjera të plejofit janë të mërkurën mbrëma.