Futboll

Hedhja e gjësendeve në fushë në ndeshjen Shqipëri – Serbi, policia njofton për numrin e të arrestuarve

Policia e Shqiperise

Foto: Associated Press

Policia e Shqipërisë ka treguar se ka arrestuar dy persona, D.I. (31) dhe J.Ll. (29) për prishje të rendit dhe hedhje të gjësendeve në fushë gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi të shtunën. Ndeshja Shqipëri – Serbi përfundoi pa fitues ndërsa i takoi eliminatoreve për Botërorin 2026. 

Po ashtu Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas të tjerë për vepër të njëjtë. 

Ndërkohë është arrestuar 45-vjeçari B.Ç. (punonjës i SHRSF) pasi ishte konstatuar se ai u kishte marrë dy shtetasve të Kosovës para me qëllim të shmangies së kontrollit fizik të tyre. 

Shtetasit kosovarë u proceduan në gjendje të lirë. 

“Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasit D. I., 31 vjeç, dhe J. Ll., 29 vjeç, si dhe proceduan në gjendje të lirë 10 shtetas të tjerë, për prishje të rendit e qetësisë dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis “Shqipërisë dhe Serbisë”, në stadiumin “Arena Kombëtare”. Gjithashtu, në vijim të veprimeve, është arrestuar shtetasi B. Ç., 45 vjeç (punonjës i SHRSF), pasi është konstatuar duke marrë para nga 2 shtetas të Kosovës me qëllim shmangien e kontrollit fizik të tyre. Dy shtetasit kosovarë u proceduan gjithashtu në gjendje të lirë”, thuhet nga Policia e Shtetit.