Futboll

Grumbullimi i Serbisë nis mes “përplasjeve” të selektorit me lojtarë

Dragan Stojkoviq

Ka kohë që selektori i Serbisë në futboll, Dragan Stojkoviq, ka përplasje me disa prej lojtarëve më të mirë të këtij vendi. Kjo u bë edhe më e qartë në fillim të grumbullimit për ndeshjen me Shqipërinë, që luhet të shtunën mbrëma në Arenën Kombëtare në Tiranë.

Në konferencën e gjatë për shtyp, të mbajtur të hënën, Stojkoviqi kryesisht foli për lojtarët që nuk janë në përfaqësuese. Dhe ka sulmuar shumë prej tyre.

Stojkoviqi ka thënë se nuk është ai problemi. Ka thënë se po të ishte kështu do të jepte dorëheqje menjëherë. Për njërin prej lojtarëve, Nemanja Radonjiq, ka thënë se “po e shkatërron veten, Cërvena Zvezdën dhe reprezentacionin”.

Për portierin e Romës, Mile Svilar, ka thënë se nuk do ta lutë që të kthehet në përfaqësuese. Svilar ka pasur edicion shumë të suksesshëm.

Për njërin prej lojtarëve më të mirë nga Serbia, Sergej Milinkoviq-Saviq, selektori Stojkoviq ka thënë se më nuk do të luajë për Serbinë derisa ai të jetë në krye.

“Ai ka mbetur prapa qëndrimit që në aspektin psikologjik nuk është gati. Sa më takon mua, ai nuk do të luajë më për reprezentacion derisa të jem unë selektor”, ka thënë Stojkoviq.

Selektori serb ka folur edhe për shumë lojtarë të tjerë. Ai njihet si i afërt i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Pak kohë më parë Stojkoviqi ishte në një tubim të Vuçiqit, i cili iu drejtua me kërkesën “që të fitojnë në Tiranë”.

Lidhur me ndeshjen me Shqipërinë, Stojkoviqi është shfaqur më i matur duke thënë se “ata i kanë miq të futbollit” dhe se nuk pret telashe. Ai e di që në tribuna do të jetë atmosferë elektrizuese, por thotë se kjo pritet.

Stojkoviqi shpesh kritikohet nga lojtarë e ish-lojtarë. Është kritikuar publikisht edhe nga Dushan Tadiq, që deri vonë ishte kapiten i Serbisë. Ai ka vendosur t’i japë fund karrierës me përfaqësuese pas Euro 2024. Stojkoviqi ka përmendur edhe Tadiqin në konferencë.

Selektorit të Serbisë i është përgjigjur Nemanja Radonjiq i Zvezdës. Ai ka publikuar pamje të një koreografie që tifozët e klubit beogradas përgatitën kundër Stojkoviqit, që vlerësohet legjendë e Cërvena Zvezdës. Por jo edhe nga tifozët.

Ka kohë që te Serbia nuk është atmosfera më e mirë. Dhe në këtë frymë po nis edhe cikli i ri kualifikues për këtë përfaqësuese. Shpresohet se kjo do të shfrytëzohet nga kuqezinjtë, që me fitore eventuale të shtunën do të rrisnin gjasat për vendin e dytë në grupin kualifikues për Botëror.