Kosova i ka mësuar të premten mbrëma kundërshtarët e mundshëm në Kupën e Botës 2026.
Përfaqësuesja e Kosovës nëse kualifikohet në Botëror do të jetë pjesë e grupit D.
Në Grupin D tashmë janë SHBA-ja, Australia dhe Paraguai.
Selektori i Kosovës, Franco Foda, e ka komentuar shortin që të premten mbrëma është mbajtur në Washington.
Foda për faqen zyrtare të FFK-së ka theksuar se nëse Kosova do të kualifikohet në Botëror, grupi do të ishte shumë i balancuar.
“Australia, Paraguai dhe SHBA kanë një grup shumë interesant këtu. Por gjëja më e rëndësishme për ne është që fillimisht duhet të kualifikohemi. Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, një ndeshje e rëndësishme si mysafire kundër Sllovakisë, duhet ta fitojmë atë. Nëse e fitojmë, atëherë do të luajmë kundër Turqisë ose Rumanisë dhe këto janë tani ndeshjet më të rëndësishme për ne. Kjo ka prioritet. Por këtu ishte një ngjarje fantastike, atmosferë e mrekullueshme. Nëse kualifikohemi për Botëror do të kishim një grup të balancuar ku gjithçka është e mundur. Por siç e përmenda, gjëja më e rëndësishme është që të kualifikohemi për Botëror. Dhe nëse kualifikohemi atëherë do të gëzohemi shumë për këto ndeshje”, ka thënë Foda.
“Dardanët” për t’u kualifikuar në Botëror duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e plejofit që luhen në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Më 26 mars, Kosova luan në gjysmëfinale ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Nëse e fiton atë ndeshje, më 31 mars e pret Turqinë apo Rumaninë. Dhe nëse e fiton edhe atë ndeshje, Kosova luan në Botërorin që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.