Futboll

Fjalët e para të Alonsos pas largimit nga Reali

Xabi Alonso

Real Madridi të hënën mbrëma vendosi që me marrëveshje të dyanshme t’i ndajë rrugët me trajnerin spanjoll Xabi Alonso.

Largimi i Alonsos erdhi pas humbjes që e pësoi Reali të dielën nga Barcelona në finale të Superkupës së Spanjës.

Alonso një ditë më pas ka reaguar, duke thënë fjalët e para pas largimit nga klubi mbretëror.

“Ky kapitull i karrierës sime ka mbaruar dhe nuk ka përfunduar ashtu siç kishim dëshiruar. Të stërvitësh Real Madridin ka qenë një nder dhe një përgjegjësi njëkohësisht. Falënderoj klubin, lojtarët dhe mbi të gjitha, tifozët dhe komunitetin madrilen për besimin dhe mbështetjen e tyre. Largohem me respekt, mirënjohje dhe krenari që kam bërë më të mirën time”, ka shkruar Alonso.

Tashmë në vend të Alonsos, në krye të shtabit teknik te “Los Blancos” është Alvaro Arbeloa, i cili ishte trajner i ekipit të dytë të Madridit nga qershori i vitit të kaluar.

44-vjeçari Alonso mori drejtimin e Realit më 1 qershor të vitit të kaluar.

Spanjolli e drejtoi Realin në 34 ndeshje duke shënuar 24 fitore, katër barazime dhe gjashtë humbje.