Për një ndeshje vendimtare për kualifikim në një ngjarje të madhe futbolli kanë ëndërruar shumë gjenerata. Kanë sakrifikuar shumë po ashtu.
Dhe momenti i së vërtetës erdhi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë martën prej orës 20:45, Kosova luan me Turqinë në “Fadil Vokrri”. Në rast të fitores mund të fillojë planifikimin e udhëtimit për në SHBA. Ajo që fiton të martën në fushën e stadiumit në Prishtinë, siguron kualifikimin në Kupën e Botës në futboll që pos në SHBA në verë mbahet edhe në Kanada e Meksikë.
Turqia synon të kthehet në ngjarjen globale pas 24 vjetësh. Në vitin 2002 në Kore të Jugut dhe Japoni ishte renditur e treta.
Kosova atëbotë ëndërronte edhe për miqësore. Ndeshjet kualifikuese as që ishin në horizont. Futbollistët e Kosovës, që ndërkohë nisën të quhen “Dardanët”, kanë luajtur kohë pas kohe, me përfaqësuese e skuadra, deri në vitin 2014. FIFA atë vit dha leje për miqësore. Në vitin 2016, Kosova u pranua në UEFA e FIFA dhe nisi me ndeshje garuese.
Gati dhjetë vjet pas, Kosova është vetëm një fitore larg Kampionatit Botëror. Është ky sukses i mahnitshëm. Natyrisht i ëndërruar që kur Kosova nisi me ndeshje, në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Ngritjen e madhe, “Dardanët” e bënë pas ardhjes së përzgjedhësit Franco Foda dhe rritjes së profesionalizmit rreth ekipit përfaqësues. Në kualifikimet për Botërorin 2026 ishin autsajderë në grupin e fortë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Por dy fitoret me Suedinë, fitorja e barazimi me Slloveninë dhe barazimi me Zvicrën sollën vendin e dytë në grup dhe plejofin. Gjysmëfinalja e plejofit u kalua me sukses – me fitore 4:3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë.
Mijëra shqiptarë ishin në Bratislavë. Dhe entuziazmi para finales me Turqinë është i pabesueshëm. Kërkesa për biletë është e jashtëzakonshme. Biletat u shitën para se të sigurohej finalja dhe tani në treg të zi kanë çmim prej qindra eurove. Por edhe me to vështirë sigurohet një e tillë.
Stadiumi ka kapacitet prej gati 14 mijë ulëseve. Shumë pak për një ndeshje si kjo e së martës mbrëma.
Te Kosova janë të vetëdijshëm për rastin e madh që e kanë. Megjithatë janë të vetëdijshëm se euforia e tepruar mund të jetë edhe e dëmshme. Selektori Franco Foda ka kërkuar fokusim maksimal, ndërsa Vedat Muriqi ka premtuar më të mirën e mundshme.
“Pas pavarësisë mund të jetë lumturia më e madhe e shtetit tonë. Dëshira jonë është maksimale. Besojmë fuqishëm në fitore, nëse bashkohemi të gjithë”, ka thënë Muriqi.
Pritjet prej tij dhe lojtarëve të tjerë janë të mëdha.
Futbolli ka bërë që për pak kohë të harrohen zhvillimet e tjera në vend. Edhe zhvillimet “e rënda” politike. Të gjithë e duan suksesin madhështor. Qeveria të hënën ndau 500 mijë eurot e premtuara për fitoren ndaj Sllovakisë dhe premtoi 1 milion euro, e edhe më shumë, për fitore ndaj Turqisë.
Përfitimet, jo vetëm financiare, do të jenë shumë të mëdha për Kosovën në rast të kualifikimit në Botëror.
Por nuk do të jetë lehtë. Turqia ka në përbërje emra të njohur të futbollit si Arda Guler, Kenan Yildiz e shumë të tjerë. Po ashtu ka fituar tri ndeshjet e kaluara me Kosovën.
Turqia po ashtu do të ketë përkrahje të shikuesve në Prishtinë. Tashmë shumë tifozë të saj janë në Kosovë.
Por shpresat janë të mëdha që këtë herë festa do të jetë për Kosovën.