Udhëheqësit institucionalë në detyrë kanë vlerësuar rëndësinë historike të delegatëve të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar Deklaratën Kushtetuese si një nga aktet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë, në 36-vjetorin e nënshkrimit të saj.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë veprimi, por nuk pranoi të trajtohej si krahinë e Serbisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas saj, përmes Deklaratës së 2 Korrikut, Kosova u përpoq të fliste në emër të vet dhe të kërkonte liri, e jo privilegje politike.
“Serbia synonte më shumë se qeverisjen e Kosovës, synonte ta linte pa zë politik dhe pa mundësi që të shfaqej si subjekt për vete. Kundër kësaj u ngrit kjo deklaratë kushtetuese e 2 Korrikut. Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë, por kishte njerëz që dinin ta përdornin edhe atë pak hapësirë, me mençuri dhe me guxim. Në mesin e tyre ishin delegatët që e miratuan deklaratën, njerëzit që e hartuan dhe e mbështetën, si dhe të gjithë ata që e kuptuan se politika e Kosovës duhet të fliste me gjuhën e së drejtës e jo me gjuhën e nënshtrimit. Pas 2 Korrikut erdhi 7 Shtatori, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut, pastaj referendumi për pavarësi dhe i gjithë organizimi i viteve të 90-ta. Kosova u përpoq ta mbante veten në këmbë, me institucione që krijoi, me shkollat shtëpi, me universitetin, me jetën politike dhe me qytetarët që nuk pranuan amendamentet e mëhershme dhe dënimin që iu kishte imponua”, ka thënë Haxhiu në 36-vjetorin e deklaratës.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut 1990 si shpallje normuese dhe juridike të Republikës së Kosovës. Ai tha se ky akt, i miratuar në Prishtinë dhe i pasuar nga zhvillimet e mëvonshme kushtetuese e politike, shënoi fillimin e republikës së rezistencës dhe hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës.
“Pa Republikën e Kosovës të vitit 1990 dhe aktet e tjera pasuese, nuk do ta bënim pavarësinë në vitin 2008”, deklaroi Kurti, duke vlerësuar se rrugëtimi drejt shtetit të pavarur u ndërtua mbi vendimet dhe sakrificat e asaj periudhe historike.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u miratua nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë, pasi autoritetet serbe ua kishin pamundësuar hyrjen. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e barabartë në kuadër të federatës jugosllave, duke kundërshtuar heqjen e autonomisë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Deklarata konsiderohet një nga aktet themeluese të shtetësisë së Kosovës dhe i hapi rrugën miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990.