Futboll

Festa me shqiponjë e trajnerit dhe kapitenit të Baselit në Rusi

shqip

Po luhej minuta e 90-të. Ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë po shkonte drejt barazimit, 1:1. Dhe në skenë doli Xherdan Shaqiri.

Shaqiri u nis në kundërsulm, ndërsa atë nga pas e ndiqte një mbrojtës serb. Futbollisti shqiptar vrapoi prej gjysmës së fushës dhe kur u fut në zonë, me qetësi e dërgoi topin nën këmbët e portierit serb. Zvicra fitoi 2:1 falë golit të Shaqirit në minutën e 90-të. 

Golin e fitores Shaqiri e festoi duke formuar me dy duart figurën e shqiponjës dykrerëshe. Njëjtë, përkrah Shaqirit, festuan edhe Granit Xhaka dhe zvicerani Stephan Lichtsteiner.  

Nuk ishte momenti i vetëm kur shqiponja dykrerëshe u “paraqit” në fushën e stadiumit në Kaliningrad në Rusi. 

Xhaka shënoi supergol në minutën e 52-të, për të barazuar shifrat në 1:1. Ai shfrytëzoi një top të dëbuar, pas një goditjeje të Shaqirit. Xhaka festoi duke u kthyer nga shikuesit dhe duke e bërë shqiponjën me të dy duart. 

Festa me shqiponjë kishte bërë bujë. Dy shqiptarët ishin gjobitur nga FIFA, që e kishte vlerësuar provokuese festën. Gjobë kishte marrë edhe atëbotë kapiteni i Zvicrës, Lichtsteiner.

Kjo treshe ka luajtur gjatë së bashku te Zvicra. Lichtsteiner tashmë ka përfunduar karrierën si lojtar, ndërsa të hënën u zgjodh trajner i Baselit. Dhe kapiten te kjo skuadër është pikërisht Shaqiri.

Ajo festë në Botërorin 2018 në Rusi mund të jetë momenti më i mirë i përbashkët i Shaqirit, Xhakës e Lichsteinerit. 

Futbollisti ikonik zviceran kishte ofruar përkrahje të madhe për dy shqiptarët. 

“Ishte mirë. Pse jo? Kjo është histori për ta. Lufta ka qenë shumë e vështirë. Unë kam folur me babanë e një prej lojtarëve tanë shqiptarë dhe ai më ka treguar për këtë histori. Kjo është më tepër se futboll. Kjo është më tepër se futboll pasi ata kanë këtë periudhë, këtë luftë që u ka shkaktuar të dyve probleme të mëdha. Unë i kuptoj ata. Mendoj se është normale, është pjesë e jetës së tyre. Po ashtu ka pasur provokime të mëdha para ndeshjes nga ata (serbët), kështu që mendoj se është normale”, kishte thënë Lichtsteiner pas ndeshjes për mediumet zvicerane.

Ai ka folur shumë herë për atë fitore dhe për festën e veçantë që bëri krenarë gjithë shqiptarët. 

“Për që kam festuar me shqiponjën me dy krerë? Unë solidarizohem me bashkëlojtarë. Ajo ndeshje kundër serbëve nga emocionet ishte më ekstremja, pasi te ne luanin shumë lojtarë me origjinë shqiptare. Dhe goli në minutën e 90-të ishte çmenduri”, kishte thënë Lichtsteiner në vitin 2020.

Atëbotë rol të madh te Zvicra kishin edhe Valon Behrami e Blerim Xhemaili. 

Lichtsteiner mezi pret ribashkimin me Shaqirin. 

“Për mua si trajner, Shaqiri është lojtar që mund të bëjë diferencën dhe mezi pres të punoj me të”, tha Lichtsteiner në konferencën e parë për shtyp si trajner i kampionit në fuqi të Zvicrës, Baselit.
Lichtsteiner pret të tjerë gola dhe momente emocionale me Shaqirin. Ndonjë festë e re me shqiponjë nuk përjashtohet.