Në shumicën e tribunave të stadiumit “Stozhice” në Lubjanë më 15 nëntor do të lejohen vetëm simbolet e Sllovenisë dhe të përfaqësueses sllovene të futbollit. Do të përballen Sllovenia dhe Kosova, në ndeshje vendimtare për të dy përfaqësueset, e që i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Vendimi që në stadium të lejohen vetëm simbolet e Sllovenisë, në përjashtim të tribunës ku do të jenë mbështetësit e Kosovës, është i Federatës së Futbollit të Sllovenisë. Me këtë vendim synohet që përkrahja nga tribunat të jetë për Slloveninë vendase e jo për Kosovën.
Por jo domosdoshmërisht do të jetë kështu. Shikuesit nuk mund të obligohen që në stadium të paraqiten me simbole të njërës apo përfaqësueses tjetër. Dhe përkrahja më shumë ka të bëjë me thirrjet që bëhen në stadium, me fishkëllimat ndaj ekipit kundërshtar, se me simbolet që prezanton apo atë që mban veshur. Po ashtu nuk dihet se sa strikt do të zbatohet vendimi i federatës sllovene.
KOHA ka mësuar se shqiptarë që jetojnë në Slloveni, shumë prej tyre me shtetësi sllovene, kanë siguruar biletat për ndeshjen në “Stozhice”.
Sllovenia nuk ka pasur përkrahje të madhe në ndeshjet e fundit dhe për këtë në federatën e këtij vendi i frikësohen përkrahjes më të madhe për Kosovën. Në ndeshjen e 13 tetorit ndaj Zvicrës, në stadiumin në Lubjanë kishte vende të lira.
Nuk do të ketë asnjë vend të lirë në ndeshjen me Kosovën. Federatës së Futbollit të Kosovës zyrtarisht i takojnë 800 bileta, por për të cilat ende nuk ka ndonjë njoftim se si do të shpërndahen. Një pjesë e tyre mund të dal në shitje.
Mediat sllovene presin numër të madh mbështetësish të Kosovës në “Stozhice”. Dhe “frika” se Kosova mund të ketë më shumë përkrahje, sipas tyre, është e drejtë.
“Dominim i tifozëve të Kosovës në Stozhice? NZS mori vendimin që mysafirëve nuk do t’iu pëlqejë”, është titulli i një prej shkrimeve të fundit të mediumit “Siol”.
Ky medium ka shkruar se “tifozët sllovenë janë të brengosur që për shkak të numrit të madh të kosovarëve që jetojnë në Slloveni, përfaqësuesja që drejtohet nga Matjazh Kek nuk do të mund të llogarisë në avantazhin klasik të tifozërisë vendase. Tifozë të Kosovës mund të ketë dukshëm më tepër se sa që është kapaciteti në sektorin e mysafirëve”.
Në Slloveni ka ndodhur tashmë që tifozët mysafirë të dominojnë ndaj atyre vendas. Së pari kjo ndodhi kur Bosnjë-Hercegovina luajti në kualifikime për Kupën e Botës 1998. Tifozët boshnjakë ishin më të zhurmshëm se ata sllovenë. Së fundi ndodhi kur Serbia luajti në vitin 2022 në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova ka përkrahje të madhe nga shikuesit edhe kur luan si mysafire. Për shembull në ndeshjen e kaluar në Goteborg, mbështetësit e Kosovës janë dëgjuar dukshëm më tepër se ata të Suedisë.
“Shikuesit na kanë ndihmuar shumë gjatë gjithë kohës. Më së shumti më gëzon fakti që ku do që luajmë si mysafirë, kam ndjenjën sikur luajmë në shtëpi. Kjo bëhet e mundur nga numri i madh i tifozëve tanë që vijnë në stadiume”, ka thënë mesfushori i Kosovës, Veldin Hoxha.
Me apo pa dominim në tribuna, Kosova synon suksesin në Lubjanë. Me fitore dhe nëse rezultati në ndeshjen Zvicër – Suedi është i favorshëm, Kosova mund të futet fuqishëm në garë për vendin e parë në grup dhe kualifikimin e mahnitshëm në Botëror. Me barazim, Kosova e siguron plejofin.