Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Drita synon fitore ndaj Celjes në “Fadil Vokrri”

drita

Fitorja ndaj Celjes së Sllovenisë është e mundur vetëm duke luajtur si grup i bashkuar. Kështu ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, të mërkurën në konferencë për media para ndeshjes së plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës.

Ndeshja e parë ndërmjet Dritës dhe Celjes zhvillohet të enjten nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Drita duhet të mos dalë nga identiteti i vet. Gjithmonë ne kemi përballë vetes motivimin dhe objektivin që e kemi si ekip. Gjithmonë kur kemi funksionuar në aspektin kolektiv, kemi dalë të suksesshëm. Nuk jemi mbështetur në individualitetin e ndonjërit, por në kolektiv. Pas ndeshjes me Drenicën, ku janë vetëm tri ditë, kemi folur me futbollistët, kemi bërë analizë, ju kam thënë që nëse mbështetemi te grupi, do t’ia vështirësojmë punët kundërshtarit. Duhet të mbështetemi te njëri-tjetri në fushë. Duhet ta japim maksimumin. Ne jemi këtu ku shumë skuadra ëndërrojnë të jenë. Edhe nëse vjen humbja, duhet të humbim me kokën lart, duhet të mos dalim si frikacakë”, ka thënë Ramadani. 

Tekniku shkupjan thotë se Celje është skuadër e fortë, por avancimi tutje nuk është i pamundur. 

“Aq sa dimë dhe mundemi i kemi marrë masat, jemi përgatitur fizikisht, psikologjikisht dhe në aspektin taktik. Si futbollist kam qenë 5-6 vjet në fazën përgatitore në Slloveni. Sllovenët janë të ftohtë. I kam parë pesë ndeshjet e fundit, dy kanë qenë me ish-trajnerin dhe tri me trajnerin aktual. Nuk ka ndryshim. Luhet i njëjti stil i lojës. Jemi munduar t’i nxjerrim disa pika të forta e të dobëta. Do të mbrohemi nga i gjithë ekipi i Celjes. Jemi munduar ta përgatitim ekipin dhe do të jetë e vështirë, por assesi i pamundur kualifikimi. Duhet ta shfrytëzojmë terrenin vendës. Shpresoj të kemi tifozë dhe ta shfrytëzojmë terrenin si nikoqir. Uroj të shkojmë me epërsi qoftë edhe minimale. Mesa, Manaj dhe Broja mungojnë. Por te të tjerët kam besim dhe besoj se nuk do të vërehet mungesa”, ka deklaruar Ramadani.

Drita fazën e ligës në Ligën e Konferencës e mbylli në vendin e 20-të me shtatë pikë.

Trajneri Ramadani i është kundërpërgjigjur Milot Avdylit për deklaratën që ai kishte dhënë pasi u tërhoq shorti i plejofit të fazës nokaut. 

Avdyli i Celjes kishte thënë se ka disa gjëra të pambyllura me Dritën, duke iu referuar humbjeve sa ishte futbollist i Trepçës ’89.

“Milotin e njoh si futbollist, nuk e di sa më njeh ai. Asnjëherë nuk e motivoj ekipin ose futbollistin tim për hakmarrje, në futboll hakmarrje nuk ka. Pse ka humbur dy herë, bëhen edhe e treta dhe e katërta, nuk ndodh asgjë, nuk është fundi i botës, vazhdon futbolli. Nëse na mposht e uroj për fitoren. Thjesht duhet të përkushtohet në karrierën e tij. Ka cilësi shumë ai futbollist. Shpresoj që të vazhdojë ecurinë negative që e ka përballë Dritës”, tha Ramadani.

Edhe mbrojtësi Raddy Ovouka e ka cilësuar të fortë Celjen.

Ovouka është prej lojtarëve kryesorë te skuadra kampione në fuqi e Kosovës. Ai ka thënë se është i lumtur që e ka besimin e plotë te trajneri Zekirija Ramadani. 

“Do të luajmë ndaj një ekipi të madh. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Jemi gati për atë lojë. Ka qenë shumë e rëndësishme për të gjithë që të luajmë në Ligën e Konferencës. Përgatitemi për lojë, kemi punuar shumë dhe për këtë arsye jemi këtu sot. Do ta jap më të mirën. Jam i lumtur që trajneri e ka besimin në mua dhe unë do ta jap më të mirën. Të gjithë jemi të gatshëm për lojën e nesërme”, deklaroi Ovouka.

Drita është në vendin e tretë me 35 pikë në Superligën e Kosovës. Ka një pikë më pak se Ballkani e Prishtina që mbajnë vendin e parë dhe dytë.

Ndërkohë, Celje kryeson bindshëm në tabelë në futbollin elitar slloven. Zë vendin e parë me 50 pikë. Maribori e Koperi e përcjellin me nga 38 pikë.