Drita e Gjilanit është ndalur në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampionia e Kosovës në futboll e humbi edhe ndeshjen e dytë me kampionin e Danimarkës, Copenhagenin.
Të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita pësoi me rezultatin 1:0. Një javë më parë Copenhageni kishte fituar 2:0 në shtëpi dhe me rezultatin e përgjithshëm 3:0 avancon në raundin e tretë kualifikues të Championsit.
Ndërkohë Drita zhvendoset në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Do të përballet me skuadrën rumune, FCSB, apo me Shkëndijën e Tetovës. Edhe këto dy skuadra janë në raundin e dytë kualifikues të Championsit dhe cila eliminohet zhvendoset në Ligën e Evropës. Shkëndija e ka fituar 1:0 ndeshjen e parë në Shkup, ndërsa ndeshja e kthimit është të mërkurën prej orës 19:30 në Bukuresht të Rumanisë.
Drita ka shpresuar që ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë, por nuk ishte as afër këtij misioni. Danezët, me shumë përvojë në skenën evropiane, kontrolluan ndeshjen nga fillimi. Në minutën e 15-të dërguan topin në rrjetë, por goli nuk u pranua për pozitë jashtë loje.
Gjërat u bënë shumë më të vështira për gjilanasit në minutën e 27-të kur sulmuesi i krahut Liridon Balaj u përjashtua direkt me të kuq. Ai la fushën për shkak të një ndërhyrje të ashpër, përkatësisht për shkelje të këmbës së kundërshtarit.
Goditja tjetër për Dritën erdhi në minutën e 42-të. Sulmuesi kryesor i Copenhagenit, Andreas Cornelius, shënoi nga zona për 1:0.
Drita në pjesën e parë rrezikoi vetëm fare në fund, kur Egzon Bejtullai bëri goditje të fortë, por të pasaktë.
Pjesa e dytë e ndeshjes ishte e qetë. Danezët nuk patën telashe për ta kontrolluar lojën dhe për ta mbajtur epërsinë.
Rastin më të mirë e lëshoi zëvendësuesi Veton Tusha. Pas një gabimi në mbrojtjen daneze, Tusha doli përballë portierit të Copenhagenit, por nuk e mposhti atë. Nga topi i kthyer nuk përfitoi Blerim Krasniqi.
Më shumë raste kishin mysafirët, por që nuk shënuan më edhe për meritë të portierit Faton Maloku.
Drita është bërë skuadra e parë kosovare që ka arritur në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në raundin e parë kualifikues e eliminoi kampionin e Luksemburgut, Differdange. Por Copenhageni doli të jetë kundërshtar i pakalueshëm për skuadrën e Zekirija Ramadanit.
Ndeshjen e parë në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës, Drita e ka menjëherë më 7 gusht.
Ramadani i kënaqur me angazhimin e lojtarëve
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është i kënaqur me angazhimin e lojtarëve në ndeshjen ndaj Copenhagenit.
Ramadani ka theksuar se këto skuadra përballen vështirë edhe me numër të barabartë të lojtarëve. Drita nga mesi i pjesës së parë luajti me një lojtar më pak në fushë.
“Me këto skuadra është shumë e vështirë edhe kur je me numër të barabartë, e lëre më me një lojtar më pak. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Është edhe meritë e lojtarëve që nuk pësuam ndonjë debakël, por edhe kundërshtari ishte i kënaqur me rezultatin. Takimin e filluam mirë, por ai karton i kuq, që është pjesë e futbollit, vendosi. Kjo vjen vetëm nga mungesa e përvojës”, ka theksuar Ramadani.
Drita lëshon rast të artë për barazim
Drita ka lëshuar rastin më të mirë për të barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Copenhagenit.
Pas një gabimi të mbrojtjes daneze, Veton Tusha ishte përballë portierit të Copenhagenit. Por nuk e mposhti atë. Nga topi i kthyer nuk përfitoi as Blerim Krasniqi.
Kjo ndodhi në minutën e 66-të.
Rezultati mbetet 1:0 për skuadrën daneze.
Drita drejt eliminimit nga Championsi, po pëson 1:0 pas pjesës së parë
Drita është pranë eliminimit nga Championsi. Pasi e humbi 2:0 ndeshjen e parë, Drita po pëson 1:0 pas pjesës së parë të ndeshjes kthyese me Copenhagenin danez. Ndeshja po luhet në “Fadil Vokrri”.
Për më tepër, kampionia e Kosovës e ka një lojtar më pak në fushë.
Copenhageni kalon në epërsi
Kampioni danez, Copenhagen, ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Dritës në “Fadil Vokrri”.
Golashënues është Andreas Cornelius në minutën e 43-të.
Ai shënoi me goditje nga zona.
Drita në telashe, Balaj përjashtohet me të kuq
Drita është në telashe të mëdha në ndeshjen ndaj Copenhagenit.
Në minutën e 27-të Liridon Balaj u ndëshkua direkt me të kuq për ndërhyrje të ashpër. Ai shkeli lojtarin kundërshtar dhe arbitri menjëherë nxori kartonin e kuq.
20 minuta lojë, rezultati 0:0
Nuk janë shënuar gola në 20 minutat e parë të ndeshjes mes Dritës së Gjilanit dhe Copenhagenit danez.
Në fakt danezët e dërguan topin në rrjetë, por pas rishikimit të VAR-it u konfirmua pozita jashtë loje.