Me sy të përlotur, Angel Di Maria është prezantuar si blerja e fundit nga skuadra argjentinase Rosario Central, 18 vjet pasi u largua nga klubi i fëmijërisë.
Di Maria, që ndihmoi Argjentinën të fitonte Kupën e Botës 2022, gjithnjë ka dashur të kthehet në Rosario. Por ai mori kërcënime me vdekje nga bandat e trafikantëve të drogës.
300 kilometra larg Buenos Airesit, Rosario është një qendër e krimit të dhunshëm dhe përplasjeve midis grupeve që kërkojnë të monopolizojnë tregtinë e drogës.
“Të kthehem në shtëpi pas kaq shumë kohësh është diçka shumë e veçantë. Ishte ajo që doja. Të luaja përsëri në Central”, ka thënë 37-vjeçari Di Maria. “Të jem kampion me Central është e vetmja gjë që më mungon. Nuk mund të besoja kur po ushtroja sot. Ndihesha sikur ishte hera e parë. E shijova plotësisht stërvitjen time të parë”.
VIDEO:
Qué momento en la rueda de prensa de presentación de Angelito Di María como nuevo jugador de Rosario Central.
Proyectan un video que resume su carrera. Él, completamente emocionado.
Bienvenido de vuelta, Angelito💙💛
pic.twitter.com/ITLPz4CIpk
Di Maria u bashkua me Rosario Central kur ishte katërvjeçar dhe debutoi si profesionist me klubin argjentinas në moshën 17-vjeçare, në vitin 2005. Pasi e fitoi Kupën e Botës U17 në vitin 2007, ai u shit te Benfica.
Lojtari ofanziv është paraqitur kryesisht në krah. Ai më pas luajti për Real Madridin, Manchester Unitedin, Juventusin, Paris-Saint Germainin dhe së fundi sërish te Benfica. Ka fituar rreth 30 trofe. Ai shënoi gol për Argjentinën në finalen ndaj Francës në Kupën e Botës 2022, ndërsa ka fituar dy edicionet e fundit të Copa America.
Di Maria së fundi u paraqit në Kupën e Botës për Klube me Benfican. Shënoi tri gola për ekipin portugez që u ndal nga Chelsea në një të tetën e finales.
“Momentalisht nuk po mendoj për pensionim”, ka thënë ylli argjentinas.
“Po mendoj për lojën, për të shijuar kohën. Për të vazhduar në nivelin që e kam shfaqur deri më tani”, ka shtuar Di Maria.