Futboll

Dështon plani për të organizuar ndeshjen Milan – Como në Australi

SERIE A

Plani për të organizuar ndeshjen e Serie A të Italisë mes Milanit dhe Comos në Australi, ka dështuar. Kjo ndeshje planifikohet për 8 shkurt. Ndeshja është dashur të luhet në Perth të Australisë, ndërsa për muaj të tërë është biseduar nga federatat e dy vendeve, UEFA dhe Konfederata Aziatike e Futbollit.

Liga italiane dhe organizatorët lokalë kanë lëshuar të hënën një dekladatë të përbashkët, duke njoftuar se ndeshja nuk do të luhet në Australi.

Milani ka kërkuar një vend alternativ për të luajtur këtë ndeshje, pasi stadiumi “San Siro” do të jetë i zënë me ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Milan – Cortina”.

Kjo do të ishte ndeshja e parë e ligave vendore nga top-pesë kampionatet evropiane që do të luhej jashtë kontinentit.

Milano dhe Como janë një orë larg njëra-tjetrës.

Serie A ka konfirmuar se mori aprovimin nga të gjitha 20 klubet e saj, nga federata italiane dhe nga UEFA për të organizuar ndeshjen në Australi. Por pengesa doli në Konfederatën Aziatike të Futbollit.

Serie A pretendon se ndeshja do të kishte sjellë 280 milionë dollarë të ardhura në rajonin e Australisë Perëndimore.

“Kushtet shtesë të vendosura nga Konfederata Aziatike e Futbollit, për të autorizuar ndeshjen, nuk mund të pëmbusheshin pa rrezik financiar për qeverinë e Australisë Perëndimore dhe Ligën e Futbollit Serie a. Qeveria dhe Serie A kanë shqyrtuar çdo mundësi të zbatueshme për të organizuar takimin historik në Australinë Perëndimore. Analiza e ofertës së Perthit zbulon se që nga prilli ajo ka gjeneruar tashmë mbi 280 milionë dollarë në aspektin e ekspozimit mediatik global, me qytetin australian të paraqitur nga mediat kryesore në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Itali, Indonezi dhe Francë”, shkruan ndër të tjera në komunikatën e Serie A.

Nga Serie A kanë thënë se do të vazhdojnë me plane për të ofruar ndeshje të kampionatit italian në vende e kontinente të tjera.