Një nga lojtarët më të mirë të CSKA Sofjes, Lumbardh Dellova është shpallur të enjten më i miri i xhiros së 31-të të kampionatit elitar në Bullgari.
Qendërmbrojtësi i Kosovës, shënoi golin e fitores 1:0 ndaj Spartak Varnas, në ndeshjen që u zhvillua më 26 prill. Ai realizoi në minutën e tretë, ndërsa ishte goli i dytë në 31 paraqitje në të gjitha garat.
Përveç golit të shënuar, Dellova u vlerësua edhe për paraqitjen e mirë.
Dellova ka shënuar gol edhe për Kupë të Bullgarisë. 26-vjeçari e ka edhe një asistim në Kupë.
Ish-mbrojtësi i Ballkanit, me CSKA Sofjen është në finale të Kupës. Në finalen e 22 majit, CSKA-ja ballafaqohet me Ludogoretsin.
Dellova synon trofeun e Kupës me CSKA Sofjen. Megjithatë, Dellova thotë se për ekipin e tij, të rëndësishme janë edhe ndeshjet e mbetura të plejofit.
CSKA Sofje është në vendin e parë me 53 pikë. Pikë të njëjta ka edhe Botev Plovdivi i vendit të dytë. Derbin ndaj Betovit, CSKA Sofja e luan premten nga ora 19:15.
“Nuk është sezoni ynë më i mirë, por po mundohemi ta përmirësojmë lojën tonë. Do të japim çdo gjë në kampionat dhe në ndeshjen e Kupës. Shpresoj që ky të mos jetë goli im i fundit. Duhet të them se po ndihem shumë mirë këtu. Kemi një ndeshje me Botevin dhe jemi të fokusuar. I marrim ndeshjet një nga një dhe do të japim çdo gjë që kemi. Finalja është ndeshja kryesore, pa dyshim. Duhet ta fitojmë atë. Kemi ekip të mirë dhe strategji të mirë të lojës. Duhet ta fitojmë atë para tifozëve tanë”, ka deklaruar Dellova.
Dellova ka shtuar se model e ka mbrojtësin dhe kapitenin e Liverpoolit, Virgil van Dijk.
“Më pëlqen të luaj me topin dhe të përfshihem në sulm. Më pëlqen stili i Van Dijkut”, ka deklaruar mbrojtësi i Kosovës.
Ai ekipit bullgar iu bashkua në verën e vitit të kaluar nga Ballkani. Ka luajtur edhe për Hajdukun e Splitit, Prishtinën dhe Lirinë. Me CSKA Sofjen ka kontratë deri në vitin 2027.
Dellova ka dy gola të shënuar edhe me “Dardanët” në 15 paraqitje. Ai së fundi po luan rregullisht përkrah kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani. Edhe Rrahmani synon titullin e dytë me Napolin.