Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Minatori” me himne ndër breza për një dialog rocku në skenën e operës

Grupi legjendar “Minatori” ka hapur edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, me koncertin ku publiku ka kënduar çdo refren bashkë me bendin

Grupi legjendar “Minatori” ka hapur edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, me koncertin ku publiku ka kënduar çdo refren bashkë me bendin. Mbrëmja e së shtunës ka dëshmuar se këngët e “Minatorit” nuk janë thjesht pjesë e historisë së rockut vendor (Foto: Arben Llapashtica)

Festivali Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj” në edicionin e gjashtë ka bërë një hap tutje, duke ngritur perden me rock. “Minatori” qe ftesë për ta parë muzikën si gjuhë që tejkalon zhanret e për t’i futur në dialog. Këngët e “Minatorit” nuk janë thjesht pjesë e historisë së rockut vendor. Ato vazhdojnë të jetojnë në publik, të zgjojnë kujtime ndër breza, të rikthejnë atmosferën e një Prishtine tjetër dhe të flasin me të njëjtën gjuhë për gjenerata të ndryshme

Nuk qe një hapje e zakonshme për një festival opere. Në vend të arieve klasike, skena u pushtua nga tingujt e kitarave, ritme të rock-ut dhe këngët që prej më shumë se katër dekadash janë bërë pjesë e kujtesës kolektive të Kosovës. 

Grupi legjendar “Minatori” ka hapur edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, me koncertin ku publiku ka kënduar çdo refren bashkë me bendin. Mbrëmja e së shtunës ka dëshmuar se këngët e “Minatorit” nuk janë thjesht pjesë e historisë së rockut vendor. Ato vazhdojnë të jetojnë në publik, të zgjojnë kujtime, të rikthejnë atmosferën e një Prishtine tjetër dhe të flasin me të njëjtën gjuhë edhe për brezat që nuk i kanë jetuar vitet kur grupi ishte në kulmin e popullaritetit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në frymën e motos së sivjetme të festivalit, “Play Music, Not War”, hapja me një rock-grup në “Marigona Hill” nja 15 minuta larg qendrës së kryeqytetit, qe ftesë për ta parë muzikën si gjuhë që tejkalon zhanret. Kështu, festivali që tradicionalisht identifikohet me operën, e nisi rrugëtimin artistik me një prej emrave më të rëndësishëm të muzikës moderne shqiptare.

Ka ngjarë që publiku nuk kishte ardhur vetëm për të dëgjuar, por edhe për të kujtuar. Midis audiencës kishte nga ata që i kishin ndjekur koncertet e “Minatorit” kaherë, por edhe të rinj që dëshmojnë se kënga e tyre jeton. 

Një nga momentet më të ndjera ka qenë interpretimi i baladës “A thua ëndërr ishe ti”. Kënga e njohur e grupit edhe e ka hapur repertorin e tyre.  I gjithë koncerti është shoqëruar me pamje arkivore të grupit në ekranin gjigant, teksa u ndërthurën edhe fotografi të Prishtinës së dikurshme. Ishte një rikthim në një qytet me Korzonë, rrugët dhe atmosferën që kanë mbetur pjesë e kujtesës urbane.

Publiku e ka kënduar të plotë këngën, duke e shndërruar atë në një nga kulmet emocionale të koncertit.

Krejt tjetër energji ka sjellë “E di se s’do të shoh”, që u prit me duartrokitje të gjata dhe krijoi një atmosferë të hareshme. Ritmi i saj ka nxjerrë publikun nga nostalgjia e baladës dhe ka kthyer koncertin në festë kolektive.

Po aq ngrohtë u prit edhe “Me dikon me t’pa”, një këngë që bart gjuhën e përditshme dhe frymën urbane të Prishtinës. Me shprehjet karakteristike të kryeqytetit dhe satirën që e përshkon, ajo ka rikujtuar mënyrën se si “Minatori” gjithmonë ka ditur ta sjellë jetën e qytetit në muzikë, pa humbur thjeshtësinë dhe spontanitetin. 

Në repertor nuk ka munguar as “Krejt njëjtë”, një nga këngët që dëshmon se krijimtaria e grupit rrok tema politike. Ajo mbetet një këngë me revoltë ndaj realitetit politik e shoqëror, por njëherësh edhe me romantizim të Prishtinës dhe jetës urbane. Pikërisht kjo e ka dalluar “Minatorin” ndër vite – aftësinë për të folur për dashurinë, por edhe për shoqërinë, për zhgënjimet, për qytetin dhe për kohën në të cilën jetonte publiku i tij atë kohë. 

Tingujt e “Minatorit” i janë përshtatur frymës së motos së sivjetme të festivalit, “Play Music, Not War” (Foto: Arben Llapashtica)

Në kulmin e mbrëmjes erdhi “Mihanja” e famshme, versioni i “Minatorit” për “Susannen” e Adriano Celentanos. Sapo tingujt e parë kanë nisur, qindra të pranishëm janë ngritur në këmbë. Refreni është kënduar njëzëri nga publiku, ndërsa skena dhe audienca janë shndërruar në një kor të vetëm. 

Në repertor nuk kanë munguar as hitet që e kanë shoqëruar historinë e grupit, si “Të dua sa Kosovën” dhe “Molla me sherbet”, këngë që prej kohësh janë bërë pjesë e identitetit të rockut të Kosovës.

Bashkë me to, me Naser Gjinovcin në vokal, kitaristin Mufail Limani, Dëfrim Behlulin në tastierë dhe vokal mbështetës, si dhe Premton Maliqin në bateri, është rikujtuar edhe rrugëtimi i grupit që, i formuar në Prishtinë në vitet ’80, ka ndërtuar profil të veçantë artistik. 

Në kohën kur rocku në Kosovë po krijonte identitetin e vet, “Minatori” arriti të ndërthurte frymën moderne të muzikës me realitetin lokal, duke sjellë tekste që flisnin për dashurinë, jetën urbane, revoltën sociale dhe përditshmërinë e qytetit.

Frontmeni i grupit, Naser Gjinovci, ka thënë se pjesëmarrja në Festivalin Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” është një privilegj i veçantë.

“Është një përjetim i llojit të vet dhe është privilegj për grupin dhe për mua personalisht, sepse kemi dy emra që kanë sukses planetar: edhe Fadil Berisha, edhe Ramë Lahaj. Kemi pasur një strukturë shumë të mirë të mysafirëve, edhe pse ne nuk dimë të bëjmë dallime”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo që e bën grupin më të lumtur është fakti se këngët vazhdojnë të jetojnë edhe pas shumë dekadash.

“Na bën shumë të lumtur që këngët janë bartur nga gjenerata në gjeneratë dhe nuk kemi pasur ndonjë disonancë në kuptimin që ato janë më pak aktuale. Këngët nuk kanë pësuar ndonjë rënie. Ato ua kujtojnë Korzon, rininë, xhinset e para që i kanë blerë, kohën kur janë formësuar në aspektin urban, erën e blirit që përmendet në këngë. Janë asociacione që ua zgjojnë këto kujtime”, ka thënë ai.

“Na bën shumë të lumtur që këngët janë bartur nga gjenerata në gjeneratë dhe nuk kemi pasur ndonjë disonancë në kuptimin që ato janë më pak aktuale. Këngët nuk kanë pësuar ndonjë rënie. Ato ua kujtojnë Korzon, rininë, xhinset e para që i kanë blerë, kohën kur janë formësuar në aspektin urban, erën e blirit që përmendet në këngë. Janë asociacione që ua zgjojnë këto kujtime”

Drejtori artistik i festivalit, Besmir Vokopola, ka thënë se hapja me “Minatorin” ishte pjesë e idesë për të krijuar dialog midis zhanreve artistike.

“Ne mbetemi thellësisht një festival opere, por arti duhet të dialogojë. Në botën e sotme është shumë e rëndësishme që format e ndryshme të artit, zhanret dhe gjinitë artistike të kontaminohen me njëra-tjetrën. Publiku ynë është kurioz dhe çdo vit bëhet edhe më i madh. Pse të mos krijojmë ura komunikimi edhe me publikun që është mësuar të dëgjojë muzikë rock apo të vizitojë ekspozita? Ajo që mbetet e pandryshuar është kualiteti artistik”, ka thënë ai.

Sipas tij, kualiteti artistik është qëllimi kryesor i RLIOF-it. 

“Pse të mos krijojmë këto ura komunikimi edhe me publikun që është i mësuar të vizitojë ekspozita të artit pamor, apo edhe për të dëgjuar muzikën rock. Ajo që është e rëndësishme për ne është kualiteti artistik që gjithmonë mbetet misioni dhe qëllimi i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj’”, ka vazhduar ai. 

Sipas Vokopolës, edicioni i sivjetmë do të shtrihet përgjatë gjithë muajit korrik dhe, përveç netëve operistike, do të sjellë edhe ngjarje që nuk kanë të bëjnë aspak me këndimin lirik. 

“Përpos faktit që këtë vit shtrihemi përgjatë gjithë muajit korrik, dhe është hera e parë me shumëllojshmëri aktivitetesh, nga risitë do të përmendja mbrëmjen që sapo shijuam me grupin ‘Minatori’, ekspozitën e të madhit Fadil Berisha. Do të kemi një ‘open mic’ në qiell të hapur për të gjithë artdashësit e Prishtinës, por do të kemi edhe mbrëmjet tradicionale të festivalit tonë, siç janë ato që i dedikohen të madhes Nexhmije Pagarusha”, ka thënë ai tutje. 

Në kuadër të edicionit të sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, pos rockut, publiku do të ketë mundësi të dëgjojë edhe jazz. Në kuadër të edicionit të gjashtë, do të organizohen edhe masterklasë, koncerte për talentë të rinj, mbrëmje me muzikë operistike ku sivjet yjet e festivali janë sopranoja Elbenita Kajtazi e tenori Charles Castronovo. Festivali kulmon, si zakonisht, me gala-mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 29 korrik, kur edhe mbyllet edicioni i sivjetmë.


© KOHA Ditore