Mesfushori me tipare sulmuese, Rayan Cherki, ka shkëlqyer me Lyonin në edicionin aktual dhe kjo është shpërblyer me ftesë nga përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps.
Cherki është në mesin e futbollistëve të ftuar për gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve në muajin e ardhshëm.
Franca do të luajë ndaj Spanjës më 5 qershor në Stuttgart, ndërsa Gjermania dhe Portugalia luajnë në gjysmëfinalen tjetër.
21-vjeçari Cherki ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar 11 asistime në elitën e futbollit francez. Ai ka njoftuar se do të largohet në verë nga Lyoni.
Risi në listën e Deschampsit është edhe mbrojtësi i Juventusit, Pierre Kalulu, por mungon William Saliba i Arsenalit, i cili ka telashe muskulore.
Prej mbrojtësve mungojnë edhe Dayot Upamecano dhe Jules Kounde, ndërsa shkaku i lëndimit mungon edhe Eduardo Camavinga.